
Kurti në 20-vjetorin e themelimit të LV-së: Kosova kurrë s’ka qenë më e zhvilluar
Në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje është mbajtur tribuna: “Historiku i Lëvizjes dhe ku jemi pas njëzet vjetësh”.
Me këtë rast, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka theksuar rolin vendimtar të katër kategorive shoqërore në suksesin e Vetëvendosjes: rinia, gratë, punëtorët dhe mërgata.
Sipas tij, pikërisht këto shtresa e kanë bërë LV-në dhe vetë atë fitimtar, duke e shndërruar këtë subjekt politik në një lëvizje të gjerë.
“Sukseset që i kemi sot, të arritura që i gëzojmë sot, republika, shteti demokratik kanë qenë të paimagjinueshme për atë kohë. Kemi pasur qindra aktivistë të arrestuar, mbi të gjitha i kemi Astritin dhe Arbnorin e para tyre edhe Mon Balën e Arben Xheladinin që u vranë. Është interesant që Vetëvendosjen e kemi filluar me ëndërr, jo me realitet. Ëndrra është ajo që na ka vënë në lëvizje. Kjo ëndërr pa ëndërrim është ajo që e ka themeluar Vetëvendosjen. Në këtë vazhdë të 20 vjetëve realiteti ka ndryshuar për shkak të ëndrrës. Në Vetëvendosje ëndrrën e kemi konsideruar detyrë”, ka thënë Kurti, duke shtuar se demokracia, sipas filozofisë së Vetëvendosjes nuk ka qenë vetëm vlerë, por detyrë dhe angazhim konkret për transformim shoqëror.
Duke reflektuar për gjendjen aktuale, Kurti ka thënë se me qeverisjen e Vetëvendosjes, Kosova është më e zhvilluar, më përparimtare dhe më e sigurt se kurrë më parë.
“Shteti i Kosovës kurrë nuk ka qenë më i zhvilluar, më përparimtar dhe më i sigurt”, ka thënë Kurti.