
Kurti në Athinë paraqet vizionin e tij për Ballkanin Perëndimor
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka marrë pjesë në simpoziumin shkencor “Pandemia: Bota pas Covid-19”, i cili është mbajtur në Athinë të Greqisë.
Kurti në llogarinë e vet në “Facebook” ka thënë se në këtë simpozium ka paraqitur qëndrimet dhe vizionin e tij për Ballkanin Perëndimor, duke përshkruar e shpjeguar në veçanti përballjen katërmujore të qeverisë se tij kundër pandemisë.
“‘Pandemia: Bota pas Covid-19’ ishte sivjet tema e Symi Symposium i cili u mbajt për 22-tën herë, kësaj radhe në Athinë të Greqisë. Personalitete të shquara politike, akademike e humanitare nga Evropa morën pjesë fizikisht, por edhe nga mbarë bota nëpërmjet platformës ‘Zoom’, në panele të shumta me prezantime të vlefshme e diskutime interesante. Përgjatë kësaj jave që po e lëmë pas, aty u trajtuan shumë çështje e tema: nga qëndrueshmëria e institucioneve dhe komuniteteve në kohë krize e deri te ekonomia e gjelbër dhe inteligjenca artificiale. Unë kam paraqitur qëndrimet dhe vizionin për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor duke përshkruar e shpjeguar në veçanti përballjen katërmujore të qeverisjes sonë të mirë në disa fronte njëkohësisht”, ka shkruar Kurti. /Epoka e re/