Kurti në konferencën ‘KosovaPAR2025’: Kemi ndërmarr reforma të thella në të gjithë sektorët

04 shtator 2025 | 15:02

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mori pjesë në ditën e dytë të Konferencës Ndërkombëtare për Administratë Publike – ‘KosovaPAR2025’, e cila organizohet nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Në fjalën hyrëse, kryeministri u shpreh se gjatë këtyre 25 viteve, në Kosovë ka ndodhur një proces i shtetndërtimit, pra i veçantë, i pashembullt ndokund tjetër apo ndonjëherë tjetër.

Ai ka renditur raportet e fundit të organizatave si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, SIGMA, organizata Gallup, Transparency International, World Justice Project e të tjera, të cilat dëshmojnë se Kosova është rast suksesi i shtetndërtimit pas një lufte të tmerrshme. “Gjatë këtyre katër viteve të fundit, Qeveria që udhëheq unë ka ndërmarr reforma të thella në të gjithë sektorët në mënyrë që ndryshimet pozitive të jenë edhe të qëndrueshme në kohë për të ardhmen, por edhe të pakthyeshme, pra që të pamundësojmë hapat prapa”, tha kryeministri.

Duke qenë se konferenca ka të bëjë me administratë publike dhe institucione, kryeministri Kurti përmendi më në detaje tri raporte: raporti i SIGMA/OECD, i cili renditë Kosovën në vitin 2024 më mirë se mesatarja e Ballkanit perëndimor në të gjitha gjashtë fushat, në të cilat bëhen matjet; veçanërisht kur e krahasojmë me vitin 2021 kur Kosova ishte më keq se mesatarja e Ballkanit në pesë prej gjashtë fushave është i dukshëm progresi i bërë.

Megjithatë, kryeministri gjithashtu theksoi se gjatë fazës së shtetndërtimit të tyre kanë ndodhur dy fenomene të cilat janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. “Së pari, një proces i stër-agjencifikimit, pra i shtimit tej mase të agjencive, që ka sjellë krijimin e një numri të madh të trupave të ekzekutiv e të pavarura, shpeshherë të panevojshme, dhe së dyti, një numër i madh i këtyre agjencive ka fituar statusin e agjencive të pavarura, pa justifikim, e madje, shpeshherë këto agjenci me funksione ekzekutive janë vendosur nën legjislativin, që përsëri është problematike. Kështu, duke krijuar shumë agjenci, shumë prej tyre në emër të pavarësisë nuk kanë raportuar në vendin e duhur, nuk kanë dhënë llogari për punën dhe performancën e tyre; shumë prej tyre kanë mbetur jashtë çdo rregullimi adekuat në emër apo si pasojë e keqinterpretimit të pavarësisë, herë me qëllim e herë nga mosdija apo mos ekzistenca e mekanizmave adekuat për t’u marr me këto çështje”, ka thënë ai.

Andaj, tha kryeministri Kurti, është me rëndësi të hapim bashkërisht këtë debat të rëndësishëm rreth pavarësisë së institucioneve dhe të gjejmë baraspeshën e duhur midis pavarësisë, bashkëpunimit dhe llogaridhënies, ashtu që institucionet të funksionojnë sa më mirë dhe jeta e qytetarëve të përmirësohet sa më shumë.

Konferenca KosovaPAR2025, ka nisur punimet të mërkurën, përmes 14 paneleve, dy sesioneve kryesore, me përfaqësues nga niveli i lartë shtetëror, komuniteti diplomatik, akademikë, zyrtarë publikë, shoqëri civile dhe përfaqësues shtetëror nga rajoni dhe më gjerë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit e Kosovës po shënon standarde të reja…