Kurti: Në Kosovë pluralizmi fetar është pasuri

19 tetor 2025 | 18:53

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Shërbesën Qendrore të Kishës Protestante Ungjillore “Bashkësia e Popullit të Zotit” me rastin e festës së Falënderimeve, që u mbajt në Kishën “Bashkësia e Popullit të Zotit”.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se mirënjohja është kujtesë për punën, përkujdesjen dhe për bashkësinë që na mban afër njëri-tjetrit dhe na mëson të shohim jo vetëm jashtë vetes, por edhe përtej vetes.

Me këtë rast, ai falënderoi stafin e Kishës “Bashkësia e Popullit të Zotit” dhe pastorin Artur Krasniqi për punën që po bëjnë për komunitetin, për ndihmën ndaj njerëzve në nevojë dhe për përfshirjen e tyre aktive në jetën e qytetit.

“Kjo bashkësi tregon se besimi nuk qëndron larg jetës publike, por e ndihmon atë të jetë më njerëzore e më e drejtë”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se në Kosovë pluralizmi fetar është pasuri, sepse ajo është bashkëjetesë dhe bashkëveprim dhe se kjo ditë është dëshmi se përtej dallimeve, ajo që na bashkon është vullneti për të bërë mirë dhe për t’u kujdesur për njëri-tjetrin.

“Ashtu si bashkësitë fetare, edhe Qeveria ka detyrë të shërbejë. Prej latinishtes, fjala ministër, do të thotë shërbëtor, që do të thotë se zëvendësministri është zëvendës shërbëtor e kryeministri është kryeshërbëtor. Përballë sfidave të përditshme, si varfëria e pabarazia, padrejtësia dhe nevoja për përmirësim të kushteve të jetesës, secili prej nesh mban një pjesë të përgjegjësisë së përbashkët,” përfundoi fjalën e tij kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e Kurtit:

Kjo frymë gëzimi është frymëzim, ju faleminderit. Këto fruta, perime, bukë dhe lule, përveçse falënderim për begatinë, janë njëkohësisht edhe ëndrra e çdo studenti të Fakultetit të Arteve, andaj të faleminderit Pajtim.

I nderuar z. Artur Krasniqi, Pastor i Kishës Protestante Ungjillore,

Të nderuar nikoqirë, besimtarë dhe qytetarë,

Motra dhe vëllezër,

Është kënaqësi të jem bashkë me juve sot në këtë mesditë, e cila na mbledh për festën e Falënderimeve.

Mirënjohja është kujtesë për punën, përkujdesjen dhe për bashkësinë që na mban afër njëri-tjetrit. Ajo na mëson të shohim jo vetëm jashtë vetes, por edhe përtej vetes, te tjetri dhe të tjerët, te tjetri ta rigjejmë veten me empati e simpati, si dhe të vlerësojmë të mirën që bëhet çdo ditë, shpesh pa zë, por gjithnjë me përkushtim.

Ju faleminderit për punën që bëni për komunitetin, për ndihmën ndaj njerëzve në nevojë dhe për përfshirjen tuaj aktive në jetën e qytetit. Kjo bashkësi tregon se besimi nuk qëndron larg jetës publike, por e ndihmon atë të jetë më njerëzore dhe më e drejtë.

Në Kosovë pluralizmi fetar është pasuri, sepse ajo është bashkëjetesë dhe bashkëveprim. Kjo ditë është dëshmi se përtej dallimeve, ajo që na bashkon është vullneti për të bërë mirë dhe për t’u kujdesur për njëri-tjetrin.

Ashtu si bashkësitë fetare, edhe Qeveria ka detyrë të shërbejë. Prej latinishtes, fjala ministër, do të thotë shërbëtor, që do të thotë se zëvendësministri është zëvendës shërbëtor e kryeministri është kryeshërbëtor.

Përballë sfidave të përditshme, si varfëria e pabarazia, padrejtësia dhe nevoja për përmirësim të kushteve të jetesës, secili prej nesh mban një pjesë të përgjegjësisë së përbashkët.

Qeveria përherë dhe kudo duhet të dëgjojë, të kuptojë dhe të veprojë me ndershmëri, duke e parë shërbimin ndaj qytetarëve si thelbin e punës publike. E kur bashkësitë e besimit dhe institucionet publike udhëhiqen nga i njëjti parim, i brengës për njeriun, atëherë ndërtohet një shoqëri më e drejtë, më solidare dhe më e fortë.

Faleminderit për ftesën, për mikpritjen dhe për shembullin që jepni për çdo ditë.

Gëzuar festën e Falënderimeve!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari aktual i Pejës, kandidati i LDK-së Gazmend Muhaxheri po…