Kurti në Londër: Kosova po ecën drejt NATO-s dhe BE-së me mbështetjen e Britanisë

22 tetor 2025 | 15:36

Pak para fillimit të punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Londër, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga sekretarja e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.

Në takim, Kurti  ka shprehur mirënjohjen për rolin e Britanisë në çlirimin, shtetndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës, duke e cilësuar atë si një partner strategjik dhe mik të përhershëm.

Në njoftimin për medie është bërë me dije se Kurti dhe Cooper kanë diskutuar për temat kyçe të samitit, sigurinë, rritjen ekonomike dhe migracionin, duke vlerësuar se këto janë fusha thelbësore për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Ndërkohë është thënë se Kurti ka nënvizuar se siguria e Kosovës është siguri e kufijve të saj, dhe se partneriteti me Britaninë është thelbësor për t’u mbrojtur nga influenca ruse dhe lufta hibride në rajon, përfshirë dezinformimin dhe financat e paligjshme.

Në fushën e mbrojtjes, ai ka theksuar se Kosova po investon në inovacion, arsim dhe bashkëpunim ndërkombëtar, ndërsa potencoi potencialin për investime të përbashkëta strategjike me Britaninë.

Kurti është shprehur se Kosova është vendi më demokratik dhe me zhvillimin ekonomik më të shpejtë në rajon, duke përmendur të dhëna nga Gallup dhe Transparency International, sipas të cilave Kosova ka shënuar përmirësime të ndjeshme në sundimin e ligjit dhe transparencë.

“Kosova ka pasur një rritje mesatare ekonomike prej 6% në katër vitet e fundit, me eksporte dhe investime të huaja të dyfishuara”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti ka theksuar se prioritet i vendit mbetet anëtarësimi në NATO dhe BE, duke theksuar rolin e Britanisë në këtë proces.

Ai gjithashtu ka rikujtuar se autorët e sulmit terrorist në Banjskë janë ende të lirë në Serbi, ndonëse Milan Radoiçiq ka pranuar përgjegjësinë, duke shtuar se mosndëshkimi i tyre përbën “kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë e Kosovës”.

Në fund, Kurti ka folur edhe për migracionin dhe të drejtat e njeriut, duke theksuar se Kosova nuk është burim i migrimit, por është e gatshme të ndihmojë Britaninë në menaxhimin e rrjedhës së migracionit dhe forcimin e sigurisë kufitare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra nga Serie A, Fiorentina ka rikthyer interesimin për sulmuesin…