Kurti në Paris flet për progres ekonomik të Kosovës që nga viti 2000 e këndej, i përmend edhe njohjet e fundit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ishte i ftuari i diskutimit “Paqeruajtja në një udhëkryq: E ardhmja e misioneve të OKB-së dhe përgjegjësia globale”, të organizuar në kuadër të Forumit të Paqes, i cili po mbahet në Paris.
Aty Kurti ka thënë se Kosova është histori e dyfishtë suksesi: “së pari, histori suksesi e ndërhyrjes ushtarake dhe humanitare të NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë” dhe “së dyti, si shtet ku zhvillimi dhe demokracia ecin krah për krah njëra-tjetrës”.
Pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Siria, në këtë forum, Kurti ka folur edhe për njohjet e këtij viti për vendin.
“Duke u përgjigjur në pyetjet e audiencës, kryeministri Kurti foli edhe mbi forcimin e shtetësisë së Kosovës edhe ndërkombëtarisht dhe tri njohjet e fundit gjatë këtij viti si dhe aspiratat e vendit tonë për integrim në Bashkim Evropian dhe NATO, krahas rëndësisë së bashkëpunimit rajonal”, ka njoftuar zyra e Kurtit.
Kurti ka theksuar se përgjatë “viteve me fuqizimin e shtetit, ulej prezenca ushtarake ndërkombëtare në vend ndërsa rritej progresi ekonomik|.
“Sot Kosova ka Bruto Produkt Vendor (BPV) për kokë banori gjashtë herë më të lartë sesa në vitin 2000 dhe tri herë më të lartë sesa në vitin e shpalljes së pavarësisë më 2008”, citohet të këtë thënë Kurti.
Ai ka shtuar se Kosova duhet të shërbejë si shembull që “çlirimi dhe pavarësia, kanë edhe dividentë makroekonomike e sociale për të gjithë qytetarët”.
Kurti ka thënë se secili mision paqeruajtës ka nevojë për vlera të përbashkëta dhe jo vetëm për interesa të përbashkëta, duke theksuar rëndësinë e multilateralizmit, dialogut, negocimit, pajtueshmërisë dhe marrëveshjeve.
Në këtë kuptim, Kurti ka përmendur modelin e Bashkimit Evropian, si projekt politik e proces historik të paqes dhe prosperitetit.



