Kurti: Në seancën konstitutive shkojmë pa marrëveshje me LDK-në (Video)

25 dhjetor 2019 | 18:54

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka bërë me dije se në seancën konstituive, e cila do të mbahet nesër do të shkojnë pa marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Ai përmes një video-mesazhi në profilin e tij në “Facebook”, ka thënë se oferta e fundit që ia ka bërë LDK-së është refuzuar mbrëmë nga partia e Isa Mustafës.

Ai ka treguar se oferta e tij e fundit ka paraparë që posti i kryeparlamentarit t’i takojë LDK-së, ndërsa dy nënkryetarët e parë LV-së.

Sipas tij, nëse LDK-ja do ta këtë postin e presidenti, atëherë duhet t’ia japë LV-së një ministri me tepër. Ai ka thënë se kjo ministri është Ministria e Punëve të Brendshme.

Kurti ka bërë me dije se LDK-ja duhet ta propozojë emrin për president, vetëm pasi që të mos kenë një kandidat konsensual për këtë post.

“Mbrëmë na refuzoi LDK-ja, duke na dërguar nesër në Kuvendin e Republikës pa marrëveshje për qeverinë. Është obligim imi moral e politik që të ju njofton që në seancën inauguruese të legjislaturës së shtatë do të shkojmë pa dakordimin për qeveri. Marrëveshjes për programin qeverisës nuk kemi arritur t’ia bashkëngjisim edhe atë për ndarje të përgjegjësive. Oferta ime e parmbrëmshme, 23 dhjetor, u refuzua dje. Ajo i kishte tri pika dhe afatin deri në mesnatën e mbrëmshme. Pika 1: VV-së si parti e parë, i takon kryetari i Kuvendit dhe nënkryetari i parë, LDK-së i takon nënkryetari i dytë. Le ta bëjmë rokadën midis kryeparlamentarit dhe nënkryetarit të dytë të Kuvendit. Kryeparlamentarin e merr LDK-ja ndërkaq nënkryetarin e dytë VV-ja. Pika 2: Çështjen e presidentit më së miri e lëmë për më vonë. Mirëpo nëse LDK-ja patjetër insiston që ne patjetër ta bëjmë premtimin për nominimin nga LDK-ja, atëherë neve duhet të na shtohet tash një ministri: Ministria e Punëve të Brendshme e cila ka rëndësi jetike për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Nominimi i LDK-së për kandidatin për president bëhet pasi të mos kemi gjetur një personalitet koncensual jashtëpartiak, kurse kur të përcaktohet LDK-ja për emrin e tij ose saj, do të kërkohet edhe pëlqimi i VV-së. Dhe pika 3: Sipas kërkesës së LDK-së, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndahet me ç’rast Kultura dhe Rinia i kalojnë ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ndërkaq Sporti i kalon Ministrisë së Shëndetësisë. Pakicat joserbe e marrin Ministrinë e Zhvillimit Rajonal ose atë të Pushtetit Lokal, kurse pakica serbe Ministrinë për Komunitete”, ka bërë me dije Kurti.

https://www.facebook.com/albini2017/videos/2438442559749009/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me anë të një statusi…