Kurti nga Londra: Britania partner kyç strategjik

11 prill 2026 | 15:49

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka nisur vizitën zyrtare në Londër me një sërë takimesh me zyrtarë të lartë britanikë dhe ndërkombëtarë, duke theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar.

Ai ka njoftuar se në fillim të vizitës është takuar me Sekretaren për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.

“Vizitën zyrtare në Londër e fillova me një takim me Sekretaren për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, vizita e dytë në gjashtë muajt e fundit. Në këtë takim, shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, duke theksuar marrëdhëniet e shumanshme dhe të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve, të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta demokratike dhe përkushtim për sigurinë dhe prosperitetin. E cilësova Mbretërinë e Bashkuar si partner kyç strategjik dhe ritheksova angazhimin për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dypalësh”, ka shkruar Kurti.

Gjatë qëndrimit në Londër, ai është takuar edhe me presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Odile Renaud-Basso, me të cilën ka diskutuar për mbështetjen financiare dhe projektet zhvillimore në Kosovë.

“U takova gjithashtu me Presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Odile Renaud-Basso, të cilën e falënderova për mbështetjen e konsiderueshme financiare për zhvillimin e Kosovës. Diskutuam vazhdimin e mbështetjes për sektorin privat në rritje dhe për projektet e infrastrukturës publike, si energjia, uji dhe transporti publik”, ka theksuar ai.

Kurti ka bërë të ditur se ka marrë pjesë edhe në një panel të organizuar nga organizata ODI Global, ku është diskutuar për shtetndërtimin ekonomik dhe stabilitetin global, ndërsa në mbrëmje ka marrë pjesë në një darkë të organizuar nga ministri britanik i Shtetit për Mbrojtje, Lord Coaker.

“Në mbrëmje, mora pjesë në një darkë të shtruar nga Ministri i Shtetit për Mbrojtje, Lord Coaker, në Naval and Military Club, ku diskutuam bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe çështje më të gjera të sigurisë”, ka shtuar Kurti.

Në ditën e dytë të vizitës, kryeministri ka qenë pjesë e panelit hapës në konferencën London Defence Conference, ku janë trajtuar sfidat globale të sigurisë.

“Në ditën e dytë të vizitës, pata kënaqësinë të jem pjesë e panelit hapës në London Defence Conference, në edicionin e saj të katërt, përkrah të Dërguarës së Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, kongresistit republikan nga Karolina e Veriut Pat Harrigan, Shefit të Mbrojtjes së Forcave të Armatosura të Holandës, Gjeneralit Onno Eichelsheim, si dhe Profesorit Julian Lindley-French. Diskutimi u përqendrua në kuptimin e mbrojtjes dhe të gatishmërisë në një kohë të krizave të shumta globale”, ka deklaruar ai.

Kurti ka bërë të ditur se gjatë kësaj vizite ka zhvilluar edhe një intervistë për çështje që lidhen me integrimin evropian dhe sfidat e sigurisë, si dhe e ka përmbyllur qëndrimin me një takim me historianin britanik Noel Malcolm.

“Vizita u përmbyll me një darkë me historianin dhe akademikun e njohur Sir Noel Malcolm nga Universiteti i Oksfordit, zëri më i rëndësishëm ndërkombëtar për historinë e Kosovës”, ka përfunduar Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është kthyer në rigjykim nga Apeli rasti i njohur si…