Kurti nga Londra paralajmëron fundin e mandatit, mërgimtarëve u thotë se Limajt ia kishte ofruar pozitën e nënkryetarit të Kuvendit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ua ka shpjeguar “përpjekjet” e tij për të lidhur marrëveshje me partinë e Fatmir Limajt për daljen nga ngërçi me muaj në Kuvendin e Kosovës disa mërgimtarëve në Londër ku ka shkuar për të marrë pjesë në samitin e Procesit të Berlinit.
Kurti është ankuar se Nisma ka kërkuar shumë derisa në Kuvend ka vetëm tre deputetë.
“Me partinë Guxo, që i ka gjashtë deputetë, ne jemi marrë vesh me i pasur dy ministra. Unë kam qenë i gatshëm që Nismës me tre deputetë me ia dhënë një ministër, nënkryetarin e Kuvendit…”, ka thënë Kurti.
“Nënkryetarin?”, ka thënë i çuditur me ofertën e Kurtit një bashkatdhetar.
“Vetëm pak”, ka reaguar Kurti.
“Po të ishte bërë Albulena Haxhiu kryetare e Kuvendit, Fatmir Limaj ka mundur të bëhej nënkryetar Kuvendi. Se duhet që kryetari dhe nënkryetari me qenë të gjinive të ndryshme. Paramendoje këtë situatë ku Albulena Haxhiu bëhet kryetare e Kuvendit, Fatmir Limaj bëhet nënkryetar i Kuvendit se i ka pasur pesëfish vota më pak se Albulena, e kish marrë një ministri dhe dy zëvendësministra”.
“Tepër”, ka shtuar një tjetër mërgimtar nga audienca.
“Katër pozita të nalta me tre deputetë. Qekjo është racionale. Maksimumi ku mund të shkojmë. Ama, ‘ama ti mu se ta kom gjet unë ditën’, faleminderit po…”, ka përfunduar Kurti derisa është duartrokitur.
Kurti në këtë fjalim është ankuar edhe për mandatin e tij “që s’po përfundon”, ndërsa ka thënë se përfundon më së largu të dielën.



