
Kurti nga Reçaku: S’mund të ketë paqe të qëndrueshme pa drejtësi
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se pa u vendosur drejtësia për krimet e Serbisë në Kosovë, nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme.
“E mbaj mend që dimri i janarit 1999, ka qenë më i ftohtë se ky që kemi sivjet, kjo ngjarje e trishtueshme e pati tronditur dhe tmerruar gjithë Kosovën dhe kombin shqiptar dhe kishte alarmuar opinionin publik ndërkombëtar. Nuk vonoi shumë pas këtij akti gjenocidal në Reçak dhe avionët e NATO-s bombarduan në Jugosllavinë e Millosheviqit. Serbia kishte në projekt shfarosjen e shqiptarëve. Me pikëllim erdhëm të takojmë familjarët e viktimave në Reçak”, ka thënë Kurti gjatë homazheve me rastin e 22-vjetorit të Masakrës së Reçakut.
Kurti ka thënë se masakra e Reçakut kishte shërbyer si alarm për opinionin ndërkombëtar që të intervenojë në Kosovë.
“Ishte pikërisht një masakër sikur kjo, ajo që e vuri në lëvizje fuqinë më të madhe ushtarake në historinë e njerëzimit në mbrojte të popullit tonë kundër një shteti qe projekt e kishte shfarosjen e shqiptarëve”.
“Jo vetëm urdhërdhënësit, por edhe ekzekutorët dihen me emra në shumë raste, jo vetëm për masakrën e Reçakut. Është detyrë e shtetit tonë dhe e faktorit ndërkombëtar që t’i ndjekim e gjykojmë e t’i dënojmë ata. Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme përderisa s’ka drejtësi që sjell rehabilitim për viktimat e dënim për kriminelët”, ka thënë Kurti.