Kurti nga Tirana: Kosova dhe Shqipëria duhet të ecin bashkë, shpejt dhe fuqishëm

11 shkurt 2020 | 11:21

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vizitën e parë të tij jashtë shtetit, në Tiranë ka thënë se ndjehet i gëzuar dhe falënderues nga mikpritja e shtetit shqiptar.

“Edhe një orë bëhet një javë që jam në postin e kryeministrit. Vendi i parë që vizitova ishte Prekazi i kryekomandantit Adem Jashari. Qyteti i parë ishte Mitrovica dhe natyrisht shteti i parë patjetër duhej të ishte Shqipëria. Ju falënderoj edhe për mikpritjen e përzemërt dhe bisedën shumë konstruktive”, është shprehur fillimisht Kurti në një konferencë të përbashkët për medie me homologun shqiptar, Edi Rama.

Më tutje, ai ka thënë se Kosova dhe Shqipëria janë prioritet i njëra-tjetrës.

“Dua që në dekadën e tretë të kemi një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri që s’ka qenë asnjëherë mes vendeve tona. Kosova dhe Shqipëria janë prioritet i njëra-tjetrës”, është shprehur Kurti.

Kryeministri Kurti, ka thënë se Kosova dhe Shqipëria duhet të ecin bashkë, shpejt dhe fuqishëm.

“U dakorduam që të formojmë një Komision ndërshtetëror i përbërë nga ministra dhe deputetë. Ato 77 marrëveshje që janë nënshkruar deri tani të zbatohen dhe të shtohen. Duhet shtuar bashkërendimin, duke e thelluar dhe zgjeruar atë”.

“Duhet të ecim bashkë, shpejt dhe fuqishëm. Duam që të bashkëpunojmë në aspektin ekonomik, të prodhimtarisë, arsimit, të sigurisë dhe të politikës së jashtme. Këto janë fusha që i kemi preokupimet e njëjta dhe gjithashtu edhe partnerët dhe aleatët tonë demokratikë dhe perëndimorë”, ka deklaruar Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka, ka pritur në takim…