
Kurti njofton për ardhjen e dronëve luftarakë për FSK-në
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se kontejnerët me mijëra dronë luftarakë kamikazë Skydagger kanë mbërri sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Ai ka thënë se dhjetëra ushtarakë të FSK-së tashmë janë trajnuar për përdorimin e tyre.
“Kontrata është nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar me Kompaninë e mirënjohur turke Baykar, që është kompani amë e prodhuesit Skydager. Dronët Skydagger ishte planifikuar të mbërrijnë në janar 2026, por i morëm tre muaj më herët. Këta dronë kamikaz të njohur edhe si FpV të tipit RTF (Ready to Fly) Skydagger të prokuruar nga ne janë dronë luftarak të pajisur me mjete shpërthyese me qëllim goditjen e objektivave lëvizëse dhe statike të armikut”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Ai ka thënë se me blerjen e këtij kontingjenti të fluturakeve pa pilot, krahas TB2 Bayraktar dhe fluturakeve Puma po vazhdojnë të ngrisin dhe shtojnë fuqinë goditëse të ushtrisë sonë me qëllim ndërtimin e një force të aftë dhe koherente me zhvillimet e reja teknologjike dhe taktikat e luftës bashkëkohore.
“Dronët u ngarkuan në kamionët multifunksional Rheinmetall 8×8 që i patëm marrë vitin e kaluar, 15 sosh gjithsej, 10 të blera nga ne dhe 5 donacion”, ka njoftuar Kurti.