KURTI N’SHAH ME VETEN

10 dhjetor 2025 | 14:19

Hanife Osmani

Rastësinë nuk e lejon t’ia diktojë koha, ai pretendon ta mbizotërojë edhe atë. Aparati operon përmes një sistemi të projektuar si një blueprint që gjen shtrirje në kaos, në zgjatje, në paqartësi, në turbullim të qëllimshëm. Kurti nuk e ka sefte vakumin institucional, ajo është praktikë që i ka funksionuar ka herë, derisa e solli te autoriteti absolut. E shijoi njëherë, për të, mjaftoi sa ta lëngojë për gjithë jetën…

Nuk ia kishte dhënë koha, po ia vodhi me dinakëri. Mirë bëri, u zhvesh prej mitologjisë. Lypsari që vishet me rroba mbreti, refuzon të kthehet aty prej nga erdhi. Sa më shumë që e kërkon, aq më shumë do t’i largohet. Është profeci kjo “po e deshe fort, e humb”. Ai e krijon krizën dhe e përdor historinë e saj me mjeshtëri, por kësaj radhe as fantazia e tij nuk ia fal humbjen, sepse ai tashmë e mishëron kontrollin.

Ankthi, pasiguria dhe frika në opinion nuk i shërbejnë më si dikur, as vetë s’është më i sigurt se ia blejnë tregimin. Në vetvete nuk e beson. E megjithatë, një gënjeshtër e thënë shumë herë ka prirjen të marrë trajtë të vërtetë, kjo e tija po tretet përpara se të ngjizet.

Albini nuk është delirant, ai ka krijuar një sekt të vetëdijshëm, të cilin me dorën e vet e ushqen me krimba, e turma që e ndjek verbërisht i sheh si kallinj të artë e me krahë. U ngrit mbi zhurmën, tymin e gazin, për t’i kthyer ankthin dhe frikën në mekanizmin e tij të sundimit. Legjitimimi që i dha vetes në Kosovën demokratike si pushtetari në fron nuk e preku fare rolin që i takonte. U ul në të, por nuk qeverisi, rrënoi.

Problemin e ka me pasqyrën, nuk e fal dot Albini – Albinin për mungesën e tij kuptimplotë, as si ushtar, as si burrështetas. Prehjen në këtë kontekst e gjen vetëm te Migjeni: “Kafshatë që s’kapërdihet, asht, or vlla, mjerimi.” Por për të s’ka më mjerim, ka vetëm lakmi. Përmendores i ka mbetur t’ia shtojë vetëm eliksirin.
Mitrovica ishte dega e tij e fundit, edhe ajo iu thye. Vetëmmbretërimit të tij të zgjatur dhe uzurpimit të çelësave të pushtetit i mungon siguria, as vetë nuk është i bindur nëse ka qenë finesa e duhur në qepjen e planit të vakumit nëntë mujor.

28 dhjetori do të jetë data kur strategjia stoike,
larg fronteve të duhura kur kërkohej, por afër atyre që dikur ua thyente xhamat, përpara shtatores fisnike të Skënderbeut, ai vetë, i përjetësuar në bronz, mbetej përherë dëshmitar i heshtur, i çuditur nga sjelljet që zhvilloheshin nën hijen e tij.

E shihte, por s’lëvizte dot… qoftë edhe njëherë për ta pyetur për arsyeshmërinë e mendjes, në një lojë ku historia e vetes i bëhet armiku më i madh.

P.s Siç i kishte thënë popullit një sundues dikur: “Unë isha i verbër… por ju, sytë ku i patët?

(Autorja është anëtare e Kryesisë së PDK-së në Mitrovicë)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot, në Kuvendin e Drenasit, kryetari Ramiz Lladrovci, pas marrjes…