Kurti pa numra, të dielën ia mësyn formimit të qeverisë
Të dielën, më 26 tetor, në orën 10:00, Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancën vendimtare për formimin e Qeverisë së re. Kjo pritet të jetë përpjekja e fundit e Albin Kurtit për të siguruar shumicën parlamentare dhe për të krijuar kabinetin “Kurti 3”. Por, gjasat janë të vogla që ai të arrijë t’i mbledhë 61 votat e nevojshme.
Në rend dite të seancës është vetëm një pikë – zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Seanca po mbahet në përmbyllje të afatit kushtetues 15-ditor që mandatarit i jepet për dorëzimin e përbërjes së qeverisë.
Kryeparlamentari Dimal Basha ka ftuar të gjithë deputetët të marrin pjesë në këtë seancë, e cila pritet të përcaktojë fatin politik të vendit në javët e ardhshme.
Vetë Albin Kurti ka pranuar se rruga drejt formimit të qeverisë është e vështirë. Gjatë një takimi me mërgatën në Londër, ai la të kuptohet se nuk ka siguruar mbështetje të mjaftueshme dhe se vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje.
“Do të përpiqemi maksimalisht deri të dielën, sepse të hënën ose e kemi bërë qeverinë, ose s’e kemi bërë. Por, po duket që alternativa është – ose e bëjmë ne qeverinë, ose shkojmë në zgjedhje,” tha Kurti.
Të gjitha partitë opozitare tashmë e kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me të.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë kontakt me LVV-në dhe se “çdo kërkesë për koalicion me Kurtin është e kotë”.
Ai është shprehur i bindur se Kurti nuk i ka numrat dhe se pas dështimit të parë, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja në fund të nëntorit ose në dhjetor.
Edhe lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se partia e tij nuk do të bëhet pjesë e një qeverie me Vetëvendosjen, duke e akuzuar Kurtin për “mashtrime politike dhe përçarje të qëllimshme”.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe Ramush Haradinaj nga AAK, duke thënë se “nuk ka interes për bashkëqeverisje me Kurtin”.
Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, ka qenë po aq kategorik: “Nuk ka votë për qeverisje me Dimal Bashën dhe LVV-në,” ka deklaruar ai.
Në këtë situatë, presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se nëse Qeveria nuk formohet të dielën, ajo do t’i ftojë partitë politike për konsultime të reja.
“Nëse s’ka marrëveshje, do t’i ftoj të gjitha partitë për të parë nëse ka ndonjë që mund të krijojë shumicën,” tha ajo për Deutsche Welle.
Në rast se as pas konsultimeve nuk sigurohet shumica prej 61 votash, Kushtetuta parashikon që presidentja të shpallë zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga dita e dekretimit.
Tashmë është e qartë: dita e diel do të jetë vendimtare për fatin e Qeverisë Kurti – dhe ndoshta për të ardhmen e afërt politike të Kosovës.



