Kurti: Paga e 13-të shpërndahet në fund të muajit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se përmbushja e zotimeve të mandatit të ri ka nisur me zbatimin e buxhetit të miratuar në Kuvend.
Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti ka theksuar se buxheti është miratuar në lexim të dytë më 20 shkurt dhe kap vlerën rreth 4 miliardë euro.
“Punën përmes përmbushjes së zotimeve në këtë mandat të ri e nisim me buxhetin e miratuar në Kuvend në lexim të dytë më 20 shkurt”, ka thënë Kurti.
Ai ka bërë me dije se në kuadër të këtij buxheti përfshihet edhe paga e 13-të për punëtorët e sektorit publik, e cila pritet të shpërndahet në fund të këtij muaji.
“Buxheti në vlerë rreth 4 miliardë euro përfshin edhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik, që do të shpërndahet në fund të këtij muaji që nisi sot”, ka thënë Kurti.
Sipas Kurtit, miratimi i buxhetit shënon hapin e parë konkret drejt realizimit të prioriteteve të qeverisë në mandatin e ri.




