Kurti paralajmëron intensifikim të bisedimeve për presidentin, optimist do të gjendet zgjidhje
Kryeministri Albin Kurti, njëherit kryetar i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka paralajmëruar intensifikim të bisedimeve për të gjetur zgjidhje për çështjen e Presidentit, pas takimeve që zhvilloi me kreun e PDK’së, Bedri Hamzën dhe atë të LDK’së, Lumir Abdixhikun.
Për zgjedhjen e presidentit të ri, kanë mbetur kohë më pak se dy javë, teksa Kurti disa herë theksoi se do të jetë çështje e vështirë sigurimi i numrave, duke theksuar se 66 votat që i kanë, janë larg 80’shit, sa nevojiten për zgjedhjen e presidentit.
Ai tha se zgjidhja është tek tri partitë e para, Vetëvendosja, PDK dhe LDK, teksa qartësoi se presidentja aktuale, Vjosa Osmani, e cila po synon edhe një mandat, nuk është kandidatja e tij për president.’
“Në vijim do të intesifikojmë bisedimet në mënyrë që ta kemi një zgjidhje për çështjen e presidentit, për shkak se përgjithësisht përshtypja është që subjektet politike konsiderojnë që pas atyre katër palë zgjedhjeve që i patëm, nuk do të duhej që edhe në vitin 2026, gjysmën e parë të na e marrin zgjedhjet e reja”, ka deklaruar Kurti.
Kurti tha se do të përpiqen maksimalisht që t’i evitojnë zgjedhjet e reja. Ai tha se nuk ka përafrim më shumë me asnjërin nga liderët e partive opozitare, por bëri një llogaritje të numrave me LDK’në, për çka tha se nuk ëshyë një formulë e sigurtë për ta tejkaluar këtë çështje.
“Edhe Vetëvendosje me LDK’në nuk është një formulë e sigurtë që ne ta tejkalojmë këtë çështje dhe të mos detyrohemi që të shkojmë sërish në zgjedhje. Nuk mund të them që kam përafrim më shumë me njërin ose tjetrin, por e bëra aritmetikën e numrave që është një fakt objektiv mes nesh që duhet trajtuar me seriozitet maksimal. Me fjalë të tjera do të përpiqemi maksimalisht që t’i evitojmë zgjedhjet për shkak të mos zgjedhjes së presidentit”, tha Kurti.
Megjithatë, ai u shpreh optimist se do të gjendet zgjidhje.
“Mua ajo që më bën optimist ësstë konstruktiviteti i atmosferës në këto takime, fakti që e kuptojmë plotësisht njëri-tjetrin dhe në të njëjtën kohë që nuk shoh zell për zgjedhje të reja. Gatishmëria ekziston, por zell për zgjedhje të reja nuk shoh. Këto elemente më bëjnë optimist që në këto ditët e pakta të mbetura do të mund të gjejmë zgjidhje”, ka deklaruar Kurti para gazetarëve.
Sipas Kushtetutës, në dy raundet e para për zgjedhjen e presidentit kërkohen 80 vota nga 120 deputetë, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota. Një kandidat duhet të sigurojë fillimisht të paktën 30 nënshkrime për të hyrë në garë.



