
Kurti: Pas 14 vitesh pavarësi, le ta shijojmë së bashku Manifesta 14
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sivjet, Manifesta po e merr rimishërimin e 14-të në qytetin e Prishtinës.
“Të dy palët jemi edhe të lumtur edhe me fat. Ky përqafim i Manifesta-s dhe Prishtinës është pothuajse një ‘amor fati’: një nomad evropian udhëtues ndalon për të takuar popullin e pandalshëm të Kosovës”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka theksuar se vepra arti nga 103 artistë nga 30 vende, për plot 100 ditë, në 25 vende në Prishtinë, do të mund të vizitohen nga të gjithë qytetarët e vendit tonë pa pagesë.
“Ky është edicioni më i madh ndonjëherë i kësaj bienale të artit. Jemi të lumtur që si qeveri kemi besuar në të që nga dita e parë dhe kemi qëndruar prapa duke e përkrahur financiarisht këtë ngjarje të madhe kulturore. Pas 14 vitesh pavarësi, le ta shijojmë së bashku Manifesta 14”, ka shkruar Kurti.