Kurti pas shpërthimit në veturën e drejtorit të QKUK: Akt kriminal që nuk na ndal

01 maj 2025 | 20:31

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas shpërthimit të veturës së ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Osman Hajdari, duke e cilësuar aktin si kriminal dhe të papranueshëm.

Në një postim në Facebook, Kurti theksoi se krimi i organizuar dhe aktet me elemente terroriste nuk do ta ndalin qeverinë në përpjekjet e saj për reforma.

“Sulmi i djeshëm ndaj z. Hajdari është dëshmi se përballë jemi me struktura që po u preken interesat e ngushta të instaluara për më shumë se 20 vjet në institucionet tona. Por akte të tilla nuk na ndalin – përkundrazi, na bëjnë edhe më këmbëngulës në rrugën tonë”, theksoi Kurti.

Kryeministri në detyrë, së bashku me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, zhvilloi një takim me Hajdarin dhe Drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Elvir Azizi.

Ai i bëri thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që të zbardhin sa më parë rrethanat e këtij rasti dhe të sjellin para drejtësisë autorët e aktit.

“Reformat që kemi nisur në çdo institucion publik janë të thella dhe në thelb kanë mbrojtjen e interesit publik dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët. Këto procese do të vazhdojnë pa kompromis”, përfundoi Kurti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar për…