
Kurti për deklaratat e Vuçiqit: Kërcënime me tone nxitëse
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ka thënë se do të përgjigjen ashpër pas arrestimit të Igor Popoviq, i cili është ndaluar pasi e ka quajtur UÇK-në “organizatë terroriste”.
Kurti ka thënë se deklaratat e Vuçiqit janë kërcënuese e të papranueshme.
“Republika e Kosovës është demokratike dhe ligjore me pushtete të ndara, institucione të konsoliduara e zbatim të barabartë të ligjit. Sundimi i ligjit nuk diskriminon sipas etnisë, pozitës, ndikimit politik apo përkatësie tjetër. Rasti i Igor Popoviqit i arrestuar për kryerjen e veprave penale për nxitjen e përçarjes apo mosdurimit etnik, nuk është përjashtim. Ai po trajtohet nga institucionet e drejtësisë me profesionalizëm dhe në përputhje me standardet kombëtare të të drejtave të njeriut. Deklaratat e Vuçiqit të bëra me 20 korrik sivjet, janë kërcënuese, destabilizuese dhe të papranueshme. Kur një president e komandant suprem i ushtrisë lëshon kërcënime me tone nxitëse, nuk është qëndrim individiual por politikë shtetërore. Beogradi zyrtar tregon se nuk e mbështetë drejtësinë, paqen dhe stabilitetin, por nxitjen e tensioneve dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes. Duke sulmuar vlerën më të shenjtë të shqiptarëve që është UÇK-ja, përmes deklarimeve të tilla, ata kanë nxitjen e provokimin e tensioneve. Deklaratat e tilla përbëjnë kërcënim për paqen dhe sigurinë në Ballkan”, ka thënë Kurti në një konferencë për medie.