Kurti për ftesat që u bëri PDK-së e LDK-së: Ishte pa sukses, përfundoi në takim bilateral

20 maj 2025 | 20:57

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka zbuluar qëndrimet e tij që kanë të bëjnë me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, që nesër do të jetë tentimi i 19-të me radhë.

Ai ka përmendur ftesat që u bëri PDK-së e LDK-së në tentim për të dal nga ngërçi, që sipas tij, takimi trelateral përfundoi me bilateral dhe pa sukses.

Kurti tha se zgjidhja nuk është t’i imponohen propozimet njëri-tjetrit.

“Unë besoj që zgjidhja e duhur përpara është që të mos ia imponojmë propozimet njëri- tjetrit, por zgjedhja e kryetarit e nënkryetarëve të shkojë bashkë në paketë e të fillojë numërimi te poshtë për formimin e qeverisë, sepse tash po shkon numërimi përpjetë”, tha Kurti.

Tregoi se LDK-ja e cila nuk iu përgjigj takimit i kishte thënë se nuk ishte vendi e koha për marrëveshje për procedurë, por se duhej marrëveshje politike, prandaj i ofroi koalicion qeveritar LDK-së, gjë që sipas tij, u refuzua ashpër.

“Nesër nuk është në pyetje Albulena që është propozimi ynë, por është në pyetje pikërisht komisioni për votim të fshehtë. Nëse opozita janë të sigurt që Albulena nuk fiton përsëri le ta provojnë me votim të fshehtë. Porsa të konstituohet kuvendi, si kryetar i partisë që ka fituar zgjedhjet, do t’i kem 61 vota minimum për qeverinë e re, por paraprakisht na duhet një kuvend i ri”, tha ai.

Kryeministri në detyrë tha se gjatë mandatit të tij katër vjeçar ka pasur edhe sovranitet shtetëror edhe integritet territorial, e edhe mirëqenie sociale e rritje ekonomike sipas tij, të paparë më herët.

“6 për qind mesatarisht në vit, asnjëherë pa rënë nën 4 për qind të bruto produktit dhe tash ka ardhur radha ta kemi edhe kuvendin e ri për qeverinë e re në legjislaturën e nëntë. Ne kemi synuar 500 mijë vota siç dihet. Kemi pasur rezultat të mirë me rreth 400 mijë vota, me 48 deputet”, tha Kurti në intervistë për RTK-në.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ai thotë se analiza e fundit ka gjetur dobësi dhe…