Kurti për mungesën e vaksinave: Kosova nuk njihet nga disa shtete, sidomos nga dy fuqi të mëdha

05 prill 2021 | 17:35

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas vendimit të Qeverisë për masat e reja anti-Covid, ka folur edhe për mungesën e vaksinës anti-Covd, ku ka thënë se problem paraqet edhe mosnjohja e Kosovës nga “dy fuqitë e mëdha”.

“Në parim, duhet ta kemi parasysh që Kosova nuk njihet nga disa shtete, sidomos nga dy fuqi të mëdha. Orientimi ynë është evropian dhe euroatlantik, prandaj e kemi skeptizmin dhe qëndrimin tonë karshi ndihmave të shteteve që nuk na njohin. Në këtë situatë, gjendja është më delikate”, ka thënë Kurti në konferencën e përbashkët me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Deri më tash, në Kosovë kanë ardhur vetëm 24 mijë doza të vaksinave “AstraZeneca”, si pjesë e programit “COVAX”.

Kurti ka thënë se masat kanë qenë të nevojshme, pasi në dy javët e fundit ka pasur rritje të rasteve të cilat kanë tejkaluar kulmin e dy dhjetorit të vitit të kaluar.

“Pas një vendimi të rëndësishëm, siç jemi në dijeni në këta muajt e fundit kemi pasur afër gjysmë milioni testime për Covid, në dy javët e fundit kemi një trend të rritjes. Ky trendi rritjes i rasteve e ka tejkaluar edhe kulmin e dy dhjetorit të viti të kaluar. Me qëllim të minimizojmë ekspozimin ndaj virusit kemi marr masa, dhe ky vendim u votua në mënyrë unanime”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se Qeveria së shpejti do të ketë një mbledhje për planin dhe programin qeverisës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që mësimi në institucionet…