Kurti për televizionin turk TRT: Asociacioni pa njohje është si kafja pa filxhan

04 shkurt 2023 | 22:09

Kryeministri Albin Kurti ka qëndruar në Turqi në një vizitë zyrtare me ftesë të presidentit Recep Tayyip Erdogan, me të cilin edhe pati një takim ditën e djeshme.

Ndërkaq, ai ka zhvilluar edhe një intervistë për televizionin turk në gjuhën angleze, “TRT World”, ku ka folur për zhvillimet e fundit në Kosovë në raport me Serbinë.

Sipas Kurtit, çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë nuk mund të krijohet pa e njohur Serbia pavarësinë e vendit.

“Kam thënë edhe më herët, se të kërkosh Asociacionin pa e njohur Kosovën është si të kërkosh kafe pa filxhan. S’mund ta sjell kafen pa filxhan. Shteti është filxhani”, u shpreh ai, raporton Klankosova.tv.

Ndër të tjera, ai tha se nëse Serbia dëshiron të formojë asociacione një-etnike, sikurse atë që po e kërkon në Kosovë, “le të mendojë së pari ta bëjë atë në shtëpi…sepse ka më shumë pakica në Serbi se në Kosovë”.

Kryeministri u pyet nëse i dërguar i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar, po e shantazhin Kosovën në raport me themelimin e Asociacionit. Kurti nuk dha përgjigje konkrete ndaj kësaj pyetjeje.

“Zotëri Escobari është shumë aktiv dhe shumë i përfshirë, dhe e mirëpres këtë. E kam takuar disa herë. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të drejtë. Ato që unë po i paraqes si parime, si kushte, për çfarëdo lloj asociacioni, nuk janë qëndrimet e mia arbitrare apo mendimet e mia personale. Vullneti i popullit të Kosovës, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria janë ato që më detyruan të them se së pari na duhet njohja reciproke dhe vetëm atëherë, ndonjë lloj asociacioni, të mos e harrojmë përvojën e hidhur nga Bosnja. 14 komuna me shumicë serbe u bënë bashkë në prill 1991, në janar 1992 e shpallën pavarësinë, në shkurt 1992 e bënë kushtetutën e tyre, më pas patëm luftën dhe në fund Republika Serbe. Ajo erdhi nga ky Asociacion”, tha kryeministri.

Kurti tha se Turqia ka shprehur vullnetin për ta ndihmuar Kosovën në NATO dhe në Këshillin e Evropës (KiE).

“Presidenti Erdogan vërtet dëshiron ta mbështesë Kosovën, dhe jam shumë falënderues për kontributin e Republikës së Turqisë përgjatë këtyre viteve. Shumë prej ushtarëve tanë kanë ushtruar dhe janë trajnuar në Turqi dhe po ashtu ne do të rrisim bashkëpunimin tonë ushtarak dhe ekonomik, shkëmbimin tregtar. Turqia po na ndihmon edhe në anëtarësimin në KiE por edhe në NATO, ku Partneriteti për Paqe është arritja e parë dhe më e rëndësishme”, deklaroi kreu i qeverisë së Kosovës.

Në këtë intervistë, siç transmeton Klankosova.tv, Kurti ka thënë se Ankaraja nuk mund të jetë ndërmjetëse mes Kosovës e Serbisë, sepse nuk është neutrale meqë e ka njohur Kosovën.

“Ankaraja nuk është neutrale, e ka njohur pavarësinë e Kosovë në ditën e parë. Ndërmjetësit duhet të jenë më neutralë. Ndërmjetësimin e bëjmë me Lajçakun e Borrellin në Bruksel. Megjithatë, Turqia, SHBA-ja, Gjermania, Franca, Italia, shtetet skandinave, Britania janë në anën e Kosovës sepse e kanë njohur pavarësinë tonë. Por, megjithatë, mendoj se presidenti Erdogan e njeh shumë mirë rajonin dhe ishte i interesuar të dijë më shumë për këtë propozimin e BE-së, dhe ia sqarova atij se çka janë disa nga pikat kyçe dhe e kemi mbështetjen e tij për rrugën tutje drejt normalizimit të plotë të raporteve”, theksoi kryeministri Kurti, transmeton Klankosova.tv.

Ai tha se serbët nuk po e kërkojnë Asociacionin, por se është Beogradi zyrtar ai që po dëshiron ta luftojë pavarësinë tonë.

“Ajo që unë mezi pres janë takimet e nivelit të lartë në mënyrë që të qartësojmë më shumë marrëveshjen e ardhshme, e cila duhet të ndodhë shpejt, por një marrëveshje që në qendër do ta ketë njohjen reciproke, sepse Bideni dhe Scholzi e kanë thënë se normalizimi i plotë i raporteve nënkupton njohjen reciproke. Ne nuk e njohim Serbinë për shkak të Kushtetutës së saj, ata s’na njohin për shkak të Kushtetutës sonë”, tha Kurti.

Ai u pyet nëse njohja reciproke Kosovë-Serbi është kushti i tij kryesor për çdo marrëveshje me Serbinë. Kurti u përgjigj:  “Në dekadën e fundit ka pasur 33 marrëveshje në Bruksel pa njohjen reciproke. Dy të tretat e tyre nuk janë zbatuar nga Serbia. Mund të keni marrëveshje tjera, teknike si në të kaluarën…”.

Gazetarja ndërhyn me një nën-pyetje: “por ata (Serbia) thonë se nuk e keni zbatuar marrëveshjen e vitit 2013 për krijimin e Asociacionit”.

“…sepse ajo marrëveshje nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. 23 akte të Kushtetutës janë shkelur me atë marrëveshje. Në anën tjetër, presidenti i Serbisë e ka shkelur marrëveshjen sepse i ka bërë të gjithë serbët kolektivisht të lëshojnë vendet e punës së institucioneve shtetërore të Kosovës, dhe u ka dërguar letra Sllovakisë, Spanjës, Rumanisë, Qipros dhe Greqisë që të mos e pranojnë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE, që është shkelje e pikës 14 e marrëveshjes së tij më të dashur. Pra ata po insistojnë në një marrëveshjeje që nuk e kanë ratifikuar në kuvendin e tyre dhe të cilën veçse e kanë shkelur”, deklaroi kreu i ekzekutivit.

Në fund, ai u bëri thirrje shteteve mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës që t’u bashkohen shumicës sepse “Kosova është storie suksesi e progresit demokratik dhe ekonomik”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çmimet e derivateve në Kosovë do të zbriten ditët e…