Kurti për vdekjen e Luan Mulliqit: Artisti nuk shuhet, vepra e tij jeton

22 tetor 2023 | 14:39

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për skulptorin Luan Mulliqi, i cili ka ndërruar jetë të dielën.

Kurti ka thënë se si veprat dhe emri i Mulliqit jehon gjithandej.

“Shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadaresë, iu kishte ngulitur aq thellë në mendje një skulpturë e Nënës Terezë sa edhe pati shkruar: ‘Nënë Tereza e Mulliqit ka një metaforë të rrallë që duke shpërthyer nga toka dëshmon për vërtetësinë e shenjtores sonë’”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Kryeministri Kurti e ka quajtur Mulliqin artist me shije të hollë e me dije të gjerë.

“Pafund janë vendet në të cilat ka ekspozuar e ku veprat e tij janë të koleksionuara, njësoj sikur pafund janë punët që la pas. Një artist me shije të hollë e me dije të gjerë nga sot nuk është më në mesin tonë. Mungesën do t’ia ndjejmë përherë më shumë, por, Luanin do ta shohim në qytet nëpërmjet punës së tij. Artisti nuk shuhet, sepse vepra e tij jeton”, ka shkruar Kurti, duke u shprehur ngushëllime familjes, miqve, kolegëve dhe studentëve të Mulliqit.

“Ngushëllime familjes, miqve, kolegëve e studentëve të tij! Ngushëllime të gjithë neve!”, ka shkruar Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Regjistrimi i popullsisë së Kosovës mund të shtyhet përsëri nëse…