Kurti përkujton 150 civilët e vrarë nga forcat serbe në masakrën e Rahovecit

19 korrik 2023 | 11:12

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 150 civilët e vrarë nga forcat serbe në masakrën e Rahovecit.

Kryeministri i vendit ka shtuar se forcat serbe në përpjekje të fshehjes së krimeve, hapën dy gropa të mëdha në Rahovec dhe i hodhën një pjesë të shqiptarëve të vrarë gjatë kësaj masakre.

“Më 19 korrik 1998, ushtria dhe polica serbe vrau, dogji, plagosi, rrahu e maltretoi, mori peng dhe zhduku me dhunë civilë shqiptarë të Rahovecit. Ekzekutimet vijuan për disa ditë me radhë. U masakruan edhe fëmijët, gratë dhe pleqtë që ishin strehuar në Teqenë e Sheh Myhedinit. Në përpjekje të fshehjes së krimeve, forcat serbe hapën dy gropa të mëdha në Rahovec dhe i hodhën një pjesë të shqiptarëve të vrarë gjatë kësaj masakre. Por nuk mund të zhduken e as harrohen krimet e kryera nga autoritetet e Serbisë urdhërdhënëse e ekzekutore”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri Kurti ka bërë me dije se për dokumentimin e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale të Serbisë, Kosova po e themelon Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. “Një zotim i yni ndaj kujtesës sonë si popull dhe ndaj kërkesës sonë për drejtësi”, ka shtuar ai.

“Me angazhimin institucional për adresimin e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës në sistemin e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare, përkujtojmë 150 civilët e vrarë nga forcat serbe në masakrën e Rahovecit. Nderojmë të mbijetuarit që u bënë ballë plagëve në trup e në shpirt. Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të kombit që dhanë jetën e tyre për lirinë e Kosovës! I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!”, ka shtuar kryeministri Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) Driton Gashi…