Kurti përkujton Elfete Humollin: 36 vjet nga sakrifica e vajzës që u bë simbol lirie

01 shkurt 2026 | 12:58

Sot bëhen 36 vjet nga rënia e dëshmores Elfete Humolli.

Kryeministri Albin Kurti, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, dhe nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, së bashku me ministra, deputetë dhe aktivistë të Lëvizjes, bënë homazhe te monumenti përkujtimor në Lupç të Poshtëm, pranë vendit ku u vra Elfetja, për të vazhduar më pas vizitën te familja Humolli.

“Më 1 shkurt 1990, në Lupç të Poshtëm, gjatë valës së demonstratave gjithëpopullore për liri, demokraci dhe të drejta politike, Elfete Humolli, atëkohë 16 vjeçe, u vra nga forcat policore serbe”.

“Ajo ishte nxënëse e shkollës së mesme dhe pjesëmarrëse aktive në organizimet popullore të kohës, pjesë e brezit të ri që kërkonte barazi dhe dinjitet për popullin e vet. Protestat e atyre ditëve u përballën me dhunë të ashpër, gaz lotsjellës dhe të shtëna ndaj demonstruesve të paarmatosur, duke dëshmuar përmasën e represionit ndaj një popullsie që kërkonte liri me mjete paqësore”.

“Vrasja e Elfetes tronditi mbarë Kosovën. Varrimi i saj u kthye në një tubim të madh qytetar me mbi 10 mijë pjesëmarrës, ndërsa familja Humolli u bë simbol i dhimbjes dhe qëndresës së një populli që po përballej me shtypje sistematike. Rasti i saj u pasqyrua edhe nga media ndërkombëtare, duke dëshmuar para botës dhunën ndaj civilëve që kërkonin të drejta themelore”.

“Nëntë vjet më vonë, më 16 maj 1999, edhe vëllai i saj, Mentori, ra dëshmor në betejën e Koshares. Sot i nderojmë në komplekset memoriale në Lupç të Poshtëm dhe përkujtojmë guximin e tyre, si dhe sakrificën e të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës. Lavdi!”, ka njoftuar Lëvizja Vetëvendosje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një raund i ri bisedimesh trepalëshe të ndërmjetësuara nga ShBA-ja…