Kurti përkujton të rënët në masakrën e Qyshkut, Pavlanit, Zahaqit dhe Llabjanit

14 maj 2020 | 13:06

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë homazhe te varrezat e Qyshkut, Pavlanit, Zahaqit dhe Llabjanit, në nderim të të rënëve në këto fshatra gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Gjatë homazheve, Kurti është shoqëruar nga këshilltarja e tij, Furtuna Sheremeti, e cila në portofolin e saj e ka edhe çështjen e krimeve të kryera gjatë luftës.

Krime të tmerrshme që janë kryer në këto fshatra, 21 vjet më parë kanë lënë të vrarë 44 persona në Qyshk, 17 në Zahaq, 21 në Pavlan dhe 13 në Llabjan.

Gjatë muajit maj në të gjitha këto fshatra, plaçkiteshin, ndaheshin burrat nga gratë, kryhej pushkatimi dhe digjeshin shtëpitë me kufoma brenda.

Për disa prej këtyre vrasjeve ishte iniciuar gjykimi në Beograd si rezultat i kallëzimit penal të bërë nga Fondi për të Drejtën Humanitare, i cili i përfaqëson viktimat në Beograd. Aktakuza ishte ngritur qysh në vitin 2010, ndërsa në shkurt të vitit 2014 me aktgjykim të shkallës së parë tre persona janë dënuar me nga 20 vjet burgim, një me 15 vjet, një me 12 vjet, një me 10 vjet, një me pesë vjet, dy me nga dy vjet burgim, ndërsa ndaj dy personave janë tërhequr akuzat.

Por, në shkurt të vitit 2015, Departamenti për Krime Lufte i Gjykatës së Apelit në Beograd ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe ka kthyer lëndën në rigjykim.

Qysh prej asaj dite, gjykimi është akoma duke vazhduar. Qysh prej asaj dite, s’ka asnjë rezultat konkret.

Përkundër faktit që për momentin janë 11 të akuzuar e janë dëgjuar 116 dëshmitarë në këtë rast, akoma sot, në vitin 2020, nuk ka asnjë të dënuar me aktgjykim përfundimtar.

Viktimat meritojnë të pushojnë në paqe, duke u dënuar kriminelët për vrasjet e shumta të tyre. (L.G/ Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shënim i redaksisë së gazetës DITA: Ekrem Bardha është njëri…