Kurti: Po përgatitemi të konstituojmë Kuvendin dhe sa më shpejt edhe qeverinë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se kabineti qeveritar i tij do t’i ketë shumë prej emrave që i kishte prezantuar vet ai si mandatar për kryeministër dhe Glauk Konjufca, por që nuk morën votat e mjaftueshme.
Kurti ka përmendur rëndësinë që sa më shpejtë të formohen institucionet e vendit, në mënyrë që Kuvendi t’i miratojë edhe marrëveshjet ndërkombëtare me Bankën Botërore, Planin e Rritjes me Bashkimin Evropian por edhe buxhetin e Kosovës, e për këtë të fundit thekson se nuk mund të vazhdohet me 1/12 edhe në muajin mars.
“Do të ketë shumë prej emrave që tashmë i kam prezantuar unë dhe Glauk Konjufca vjeshtën e vitit të kaluar, mirëpo nuk do të jenë identikë. Do të ketë edhe emra të tjerë. Ne po përgatitemi që së pari ta konstituojmë Kuvendin dhe sa më shpejt ta formojmë qeverinë, sepse, siç e dini, kemi tri marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore dhe njëkohësisht e kemi edhe planin e rritjes me Bashkimin Evropian, që është 882.6 milionë euro dhe që duhet sa më parë ta miratojmë në Kuvendin e Republikës, pa harruar që kemi më së shumti përgjegjësi, obligim, por do të thosha edhe preferencë, e ky është buxheti për vitin 2026. Ju e dini që me 1/12 qeveria në detyrë mund të vazhdojë veç edhe për muajin shkurt, për muajin mars nuk mund të vazhdohet kësisoj. Andaj, në muajin shkurt duhet ta kemi të përmbyllur edhe çështjen e buxhetit”, ka thënë Kurti.



