Kurti: Prekazi, kryeqytet i kryengritjes sonë kombëtare
Albin Kurti, vizitën e parë si kryeministër e ka bërë në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Kurti në këtë vizitë ishte i shoqëruar nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryetari i Skenderajt Bekim Jashari.
Më këtë rast, Kurti ka thënë se secila pozitë e rëndësishme shtetërore duhet të themelohet mbi kthimin te Jasharët në Prekaz.
“Vendosëm kurora me lule të freskëta te varri i Adem dhe Hamëz Jashari dhe bëmë homazhe të 59 të rënët në ‘Epopenë e UÇK-së’ më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 të këtyre tre brezave të cilët u flijuan për çlirim e liri, pavarësi e bashkim”.
“Çdo herë kur marrim detyra të rëndësishme shtetërore, çdo pozitë e lartë institucionale duhet të themelohet mbi kthimin dhe rikthimin te Jasharët dhe te Prekazi, ky kryeqytet i kryengritjes sonë kombëtare. Lavdi gjithë heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit falë të të cilëve ne sot jemi edhe të gjallë dhe gëzojmë lirinë që kemi”, është shprehur Kurti.
Ndërsa kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se Konjufcës dhe Kurtit i ka uruar suksese në detyrat e reja.




