Kurti pret në takim përfaqësuesit e KOMF-it, pandemia ka rënduar gjendjen e fëmijëve

01 qershor 2021 | 11:36

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në Ditën ndërkombëtare të fëmijëve mirëpriti në takim një delegacion nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF), të udhëhequr nga drejtorja ekzekutive e KOMF, Donjetë Kelmendi.

“Garantimi dhe avancimi i të drejtave të fëmijëve është sa detyrim e përgjegjësi shtetërore, edhe përkushtim gjithëshoqëror. Respektimi i tyre dhe i të drejtave të njeriut në përgjithësi, është treguesi më i mirë i demokratizimit të një vendi dhe kjo është një rrugë që e synojmë dhe që do ta ndjekim gjithsesi”, u shpreh kryeministri Kurti.

Ai më tej ka thënë se qeveria ka prioritet edukimin e hershëm dhe qasjen e integruar të shërbimeve për këto grupmosha dhe fuqizimin e mekanizmave gjyqësor dhe procedurave që garantojnë mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Përfaqësuesit e KOMF-it falënderuan kryeministrin Kurti për dedikimin e tij dhe të kabinetit në trajtimin dhe adresimin e sfidave të fëmijëve të Kosovës, sidomos atyre të cilat janë shkaktuar nga pandemia Covid-19.

Sipas tyre, për shkak të periudhave të zgjatura të izolimit, pandemia ka rënduar gjendjen e fëmijëve, në veçanti atyre të cenueshëm dhe me aftësi të veçanta. Kjo ka ndikuar edhe në përkeqësimin e shëndetit mendor të fëmijëve.

Kryeministri Kurti ka shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për bashkëpunim të hapur e të vazhdueshëm me KOMF-in në adresimin e nevojave të fëmijëve dhe përmirësimin e përparimin e kushteve për zhvillimin e potencialit të tyre të plotë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ben Francin ishte vetëm 19 vjeç kur i pyeti prindërit…