Kurti: Qe 5 vjet s’ka ‘Zajednicë’
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është përballur me pyetjet e gazetarëve sot pas koncensioneve që ka bërë për mënyrën e zbatimit të Ligjit për të huajt e automjetet, nga të cilët do të prekeshin komuniteti serb në vend.
I pyetur se këto lëshime janë parë nga opozita si një hap drejt Asociacionit, Kurti i është rikthyer termit “Zajednicë”, për të cilën ka thënë se nuk ekziston edhe pas pesë vitesh të tij në qeveri.
“Këto pesë vite sa jam kryeministër shpeshherë eksponentë të opozitës kanë thënë që ‘e bëri Zajednicën këtë muaj’, ‘do të bëjë Zajednicën muajin e ardhshëm’, por ju e dini që pesë vjet janë 60 muaj, nuk ka Zajednicë. Prandaj, e keni një qeveri të Republikës, e cila është demokratike, e cila siguron mirëqenie për të gjithë qytetarët, siguri e begati për të gjithë pa dallim”, ka deklaruar Kurti.
Duke i mohuar këto akuza opozitare, Kurti ka përmendur mbështetjen popullore për veprimet e tij.
“Prandaj, të gjitha akuzat e tilla janë të pavend, këtë e dinë më së miri qytetarëve të Republikës që na mbështesin kaq shumë dhe që i gëzojnë frytet e punës tonë që është obligim dhe përgjegjësi e jona”, ka thënë Kurti.
Qeveria e Kosovës është pajtuar që të ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe të njohë letërnjoftimet e pjesëtarëve të komunitetit serb të lëshuara nga Serbia për një periudhë fillestare 12-mujore. Ligji ka nisur të zbatohet nga 15 marsi.
Për këtë dakordim ndihmoi Bashkimi Evropian, përfaqësuesi Special i të cilit, Peter Sorensen, ishte në kontakt edhe me Qeverinë e Serbisë.



