Kurti: Reduktimet e rrymës janë masë e domosdoshme

24 gusht 2022 | 15:13

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se reduktimet e rrymës dhe remonti në termocentrale janë masa të domosdoshme për të përballuar importin e energjisë në muajt e dimrit.

Ai këto deklarata i ka bërë në një konferencë për media me gazetarët në Prishtinë.

“Në ditën kur kanë filluar reduktimet, konsumi i energjisë ka qenë 240 megavat në orë, më shumë sesa prodhimi. Pra, konsumin e kemi pasur për 240 megavat orë më shumë sesa gjenerimi. Çmimi në HUPX (berzën hungareze të energjisë) ka qenë rreth 430 euro për megavat orë. Importi është shumë i kushtueshëm dhe pa këto masa është i papërballueshëm në dimër”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, bashkëpunimi i shtuar me Shqipërinë për energjinë, ka ardhur për shkak të remontit në bllokun “B2” të termocentralit “Kosova B” dhe për shkak se blloku “A5” në termocentralin “Kosova A”, nuk ka punuar.

Pavarësisht bashkëpunimit, ai ka thënë se reduktimet vetëm janë zbutur, sepse sasia e energjisë që bartet nga Shqipëria “nuk e plotëson në tërësi mungesën tonë për shkak se edhe vetë Shqipëria nuk po prodhon sa duhet për nevojat e veta”.

Kryeministri ka thënë se Ministria e Ekonomisë është duke punuar në një listë masash për efiçencë të energjisë dhe ngrohje, që synim do ta kenë lehtësimin e situatës gjatë dimrit, sidomos për familjet në nevojë.

Sipas Kurtit, luftimi i vjedhjes së energjisë dhe kursimi i saj do të jenë pika kritike në tejkalimin e krizës këtë dimër.

“Ne do të bëjmë maksimumin për luftimin e vjedhjeve që po na kushtojnë dyfish për shkak të çmimit të lartë të energjisë”, ka thënë ai.

Sipas Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike të Kosovës (KEDS), për shkak të vjedhjes së rrymës, deri në 40 konsumatorë shkyçen brenda një dite nga rrjeti i elektrik.

Ministria e Ekonomisë ka thënë se kostoja e vjedhjes së energjisë elektrike vitin e kaluar ka qenë 110 milionë euro, ndërkaq këtë vit parashihet që të arrijë në vlerë të 99 milionë eurove.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka bërë thirrje Bashkimit…