Kurti rikonfirmon bashkëpunimin me RYCO-n
Kryeministri Albin Kurti është takuar të premten me drejtorin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor, Vladimir Obradoviq. RYCO është një nismë e Procesit të Berlinit, e dedikuar për pajtim dhe paqe përmes bashkëpunimit rinor, e frymëzuar nga Zyra Franko-Gjermane e Rinisë (FGYO).
Vitin e kaluar, Kosova ishte kryesuese e RYCO dhe Prishtina për herë të parë ishte nikoqire e Forumit Rinor, ku u pritën të rinj nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor- Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia.
Kryeministri Kurti shprehu vlerësimin e tij për forumin e suksesshëm dhe theksoi nevojën për organizimin e më shumë ngjarje të tilla në Prishtinë dhe për më shumë projekte të përbashkëta të mobilitetit që kanë fokus posaçërisht edukimin dual si dhe sportin.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e shkëmbimeve ndërmjet të rinjve në adresimin e narrativave të rreme dhe në nxitjen e diskutimeve mbi mundësitë për zhvillim.
Kryeministri Kurti ka rikonfirmuar përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të mbështetur RYCO-n në misionin drejt pajtimit e bashkëpunimit ndërmjet të rinjve të rajonit.



