Kurti rikthen projektligjin për çmimet tavan, bizneset paralajmërojnë pasoja për ekonominë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paralajmëroi se projektligjin për çmimet tavan do ta risjellë për votim në Kuvendin e Kosovës, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve “nga abuzimi me çmimet e larta”.
Duke folur për krizën globale dhe ndikimin e saj në rritjen e çmimeve, Kurti nënvizoi se disa tregtarë dhe biznese të mëdha kanë keqpërdorur situatën për të rritur artificialisht çmimet, ndërsa qeveria ka ndihmuar secilën kategori shoqërore.
Kryeministri bëri thirrje që edhe opozita të mbështesë projektligjin, duke theksuar nevojën për një reagim të shpejtë ndaj sfidave ekonomike dhe krizave globale.
Përfaqësues të bizneseve dhe organizatave ekonomike në Kosovë kanë reaguar lidhur me këtë paralajmërim të Kurtit, duke thënë se zgjidhja për çmimet e larta nuk mund të jetë kontrolli artificial, por politika që stimulojnë konkurrencën, uljen e kostove operative, prodhimin vendor dhe stabilitetin ekonomik.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, në një prononcim për “Front Online” është deklaruar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti për rikthimin në votim projektligjin për vendosjen e çmimeve tavan, i cili synon mbrojtjen e qytetarëve nga rritja e çmimeve.
Shahini tha se vendosja e çmimeve tavan nuk mund të bëhet përmes vendimeve qeveritare pa ekzistuar një rregullator i pavarur.
Sipas tij, ndërhyrje të tilla janë të justifikueshme vetëm në rrethana të jashtëzakonshme.
“Çmimet tavan nuk mund të caktohen nga vendimet qeveritare pa e pasur një rregullator të pavarur në raste të jashtëzakonshme qeveria e ka të drejtë që për disa produkte esenciale të merr vendime të tilla, përderisa është gjendja normale dhe nuk është e jashtëzakonshme është anti Kushtetuese dhe cenon ekonominë e tregut e konkurrencës”, ka thënë ai.
Shahini thotë se çmimet janë në rritje dhe inflacioni mbetet dominant.
Ai shtoi se ekonomia e Kosovës mbetet e ndjeshme ndaj zhvillimeve globale.
“Konkurrenca ekonomia e lirë është e garantuar në Kosovë dhe nuk duhet të bie ndeshë me Kushtetutën nëse një propozim i tillë vjen në Kuvend për votim. inflacioni është rreth 6% rritja ekonomike 3.5% krejt kjo tregon që në Kosovë çmimet janë në lëvizje inflacioni në epërsi varfëria mund të shtohet, aktivitet ekonomike mund të kufizohen për shkak të tregjeve globale se Kosova varet nga importet”, deklaroi Shahini.
Kryetari i Organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku ka kritikuar institucionet lidhur me dështimin disavjeçar në konsolidimin e tregut në Kosovë.
Sipas Kaçanikut, ai ka kërkuar nga kryeministrat e vendit që të ndërmarrin hapa konkretë për rregullimin e tregut, por pa sukses.
Ai shprehet se pasojat më të mëdha po i bartin qytetarët.
Kaçaniku ngriti shqetësimin edhe për rritjen e varësisë nga kreditë dhe overdraftet.
“Në 20 vite u kam bërë të fala kryeministrave të Kosovës që ta konsolidojnë tregun, po të ishte kjo tregu do ta dëshmonte si rregullator i çmimit dhe furnizimit pasi nuk kemi kjo i bien që nuk kemi treg. Qytetarët po dëmtohen me çmime të larta, pensionistët as për barna nuk ju mjafton ajo pagë e familjet me asistencë sociale e kanë gjendjen e rëndë qytetarët po jetojnë me kredi e over-draft po i hargjojnë pagat para se me i marr ato”, ka deklaruar Kaçaniku për “Front Online”.
Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Kushtrim Ahmeti ka folur për “Front Online” lidhur me qasjen e institucioneve ndaj ndërhyrjeve në treg, duke thënë se praktikat për vendosjen e çmimeve tavan tashmë po aplikohen në mënyrë indirekte, sidomos në sektorin e derivateve.
“Fakt janë duke u apliku ligjet për çmimet në tavan se nëse e sheh vendosjen e çmimeve tavan të derivateve, përkundër se s’ka ligj, këta janë duke vazhduar me logjikën e njëjtë. Kjo po ndikon më keq, sepse nëse e sheh nuk ka konkurrencë në derivate sepse gjithë po e mbajnë çmimin më të lartë. Në një mënyrë i ka stimuluar Qeveria, bizneset e sektorit të derivateve që me e mbajt çmimin lartë e që mos me pas konkurrencë”, tha Ahmeti.
Ai paralajmëroi se ndërhyrjet e tilla po e dëmtojnë funksionimin e ekonomisë së lirë dhe po krijojnë deformime në treg.
“Për më keq, Qeveria po diskuton për ta bërë një autoritet për caktimin e çmimeve edhe për produktet e tjerat esenciale e që do të ishte nën kuadër të Kuvendit, fillimisht ishte në kuadër të Qeverisë, por doli anti kushtetues e tash po duan me bërë nën kuadër të Kuvendit”, ka thënë Ahmeti.
Përfaqësuesi i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besard Dreshaj, ka thënë për “Front Online” se tregu nuk funksionon përmes kufizimeve të imponuara.
Ai paralajmëroi se rikthimi i çmimit tavan pa një analizë ekonomike dhe pa konsultim të strukturuar me sektorin privat mund të sjellë pasoja serioze.
“Çdo ndërhyrje administrative në formë të çmimeve tavan duhet trajtuar me shumë kujdes, sepse tregu nuk funksionon me kufizime të imponuara, por me balancë mes ofertës dhe kërkesës. Nëse ky mekanizëm rikthehet pa analizë të plotë ekonomike dhe pa konsultim të strukturuar me sektorin privat, rrezikon të krijojë deformime serioze në treg: ulje të furnizimit, rritje të informalitetit dhe dekurajim të importuesve dhe shpërndarësve”, tha Dreshaj.
Dreshaj tha se rritja e çmimeve ka dëmtuar drejtpërdrejt fuqinë blerëse, ndërsa kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm.
“Qytetarët janë dëmtuar drejtpërdrejt nga rritja e çmimeve, sepse fuqia blerëse është ulur ndjeshëm dhe kostoja e jetesës është rritur në mënyrë të dukshme, veçanërisht për produktet bazike. Stabiliteti ekonomik nuk ndërtohet me kufizime, por me politika zhvillimore”, u shpreh Dreshaj.



