Kurti s’e përjashton mundësinë e shtrenjtimin të rrymës sërish
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se qeveria e re do të formohet menjëherë pasi të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe konstituimit të Kuvendit.
Ai u pyet në një intervistë për KosovaPress se “kur pritet që qytetari të ndjejë rritjen ekonomike, meqenëse janë shtrenjtuar produktet esenciale siç janë vaji, buka… për të cilat është thënë se s’do të ketë shtrenjtim, por megjithatë ka pasë”.
Tha se qytetarët tashmë e ndiejnë rritjen ekonomike që tha se ka ndodhur përgjatë viteve të qeverisjes së tij.
“Unë besoj që qytetarët e kanë ndjerë dhe po e ndiejnë rritjen ekonomike. Asnjëherë nuk kemi rënën nën 4%. 6% është mesatarja e rritjes ekonomike gjatë qeverisjes sonë. Dëshirojmë që kjo të vazhdojë edhe më tutje dhe punojmë për këtë gjë”, tha ai.
“Është paralajmëruar edhe një shtrenjtim i rrymës”, i tha gazetarja.
Kurti vazhdoi: “Tash, papunësia ka rënë nën 11%. Ka qenë 26%. Kur unë e kam marrë detyrën, para më pak se pesë vjetëve, çdo i katërti në Kosovë ka qenë i papunë. Sot që po flasim është çdo i nënti. Pra, para pesë vjetëve s’ka pasë familje pa dikë të papunë. Tash duhet t’i bësh dy familje që mezi ta nxjerrësh një të papunë. Papunësia ka rënë, punësimi është rritur. Gjithashtu janë rritur pensionet, i janë shtuar mirëqenies së përgjithshme shtesat për fëmijë dhe për nënat lehona, të cilat më pastaj janë rritur, është rritur shumë fitimi i korporatave. 2.3 miliardë euro është fitimi i korporatave në vitin që shkoi, sepse 230 milionë euro kanë paguar tatim, sipas ATK-së”.
Edhe pagat në sektorin privat, Kurti tha se janë rritur.
“Totali i pagesave në sektorin privat është rritur nga 1.2 milionë sa ka qenë, më shumë se dyfishim – 2.6 milionë. Paga mesatare në sektorin privat është rritur për katër vjet, bruto 57%, neto 50%”.
Ai pranoi se shporta e konsumatorit do të duhej të ishte më e përballueshme, por shtoi se “kjo nuk ka të bëjë me rritjen ekonomike, sa ka të bëjë me tavanin e munguar për produktet bazë”.
Për paralajmërimin se rryma do të shtrenjtohet sërish së shepjti, Kurti tha: “Ne do ta themi qëndrimin tonë në këtë pranverë, kur të vijë koha”.



