Kurti shpreh mbështetjen e Kosovës për operacionin anti-narkotik të SHBA-së në Venezuelë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova mbështet operacionin anti-narkotik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Venezuelë, i cili, sipas tij, udhëhiqet nga Presidenti amerikan Donald Trump.
Në një mesazh mbështetës drejtuar SHBA-së, Kurti ka theksuar se mbajtja përgjegjëse e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave është thelbësore për suksesin e luftës globale kundër narkotikëve.
“Republika e Kosovës mbështet operacionin anti-narkotik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të udhëhequr nga Presidenti Donald Trump, në Venezuelë. Mbajtja përgjegjës e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave është thelbësore për suksesin në luftën kundër kësaj dukurie,” ka deklaruar Kurti.
Ai ka shtuar se Kosova, si aleate strategjike e SHBA-së dhe NATO-s, ofron mbështetje të plotë në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe kundër, siç është shprehur, cenimit të vlerave demokratike perëndimore nga aktorë përfaqësues të kundërshtarëve të këtyre vlerave, si në rajon ashtu edhe më gjerë.
Në këtë kontekst, kryeministri ka ritheksuar nevojën për rritjen e vëmendjes ndaj aktorëve të caktuar rajonalë, të cilët, sipas tij, synojnë vazhdimisht destabilizimin e situatës së sigurisë përmes veprimeve hibride, kriminale, terroriste dhe ushtarake.



