Kurti s’i përgjigjet Abdixhikut për emrin e Osmanit për presidente, në LV përsërisin kërkesën për ‘tre emra’
Mund të jetë dukur se, pas zgjedhjeve parlamentare të fundvitit të kaluar Kosova po ecte drejt një rrugëdaljeje nga ngërçi politik i cili e përcolli vendin gjatë gjithë vitit 2025.
Por tani vendi duket se po shkon drejt zgjedhjeve të reja, edhe një herë tjetër, për herë të tretë brenda rreth një viti e gjysmë.
Pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re, ngecja tani erdhi te zgjedhja e presidentit të ri. Partia e kryeministrit Albin Kurti nuk i ka dhënë mbështetjen presidentes Vjosa Osmani për edhe një mandat në karrigen e shefes së shtetit, ndërsa këtë përgjegjësi u mundua ta shpërndante edhe te partitë opozitare, të cilat u akuzuan se gjithashtu s’e donin rizgjedhjen e saj.
Në vend të Osmanit, për pozitën e shefit të shtetit, Kurti në mars vendosi ta kandidoj Glauk Konjufcën, zëvendësin e tij në parti dhe në qeveri.
Pasi diskutimet për zgjedhjen e presidentit nuk shkuan siç deshi ai, Kurti u është drejtuar qytetarëve me një video të publikuar në “Facebook” të premten.
Në diskutimet për zgjedhjen e presidentit, Kurti të premten në mbrëmje i akuzoi partitë opozitare për bllokim. Tha se nuk po respektohej vullneti i shprehur në zgjedhje, ndërsa paralajmëroi bllokadë tjetër edhe pas zgjedhjeve të reja.
“Meqënëse problemi kryesor mbetet nevoja për 80 deputetë për kuorum te çështja e presidentit, zgjedhjet nuk do të sjellin zgjidhje. Rezultati i zgjedhjeve duhet të pranohet dhe të respektohet, sepse ai përfaqëson vullnetin e qytetarëve dhe bazën e demokracisë. Lëvizja Vetëvendosje (LV) ka siguruar shumicën e votave dhe të deputetëve, prandaj kërkon që ky rezultat të merret parasysh në proceset politike dhe në vendimmarrje. Nëse shkojmë në zgjedhje në qershor dhe LV-ja me partnerët (GUXO, Alternativa e pakicat) nuk i mbërrin 80 deputetë, atëherë do të shkojmë sërish në zgjedhje në vjeshtë a dimër. Kujt i konvenon kjo?!”, ka thënë ai.
Kurti u kishte bërë oferta partive opozitare, duke ua ofruar pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe që posti i Presidentit t’i takonte partisë së tij.
Ai ishte ankuar se Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës në takimet me të nuk ofruan asnjë emër për kandidat për President.
Atë mbrëmje të së premtes, LV-ja ka mbajtur një mbledhje të Kryesisë dhe dje në mëngjes ka dalë me një ide tjetër: kërkuan nga PDK-ja dhe LDK-0ja që “së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e 10-të”. Ky propozim u konsiderua “konkret dhe përbashkues”.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i ka kërkuar Kurtit dje pasdite që të përcaktohej se a do marrëveshje me këtë parti, apo “i doni 90 vota edhe me PDK-në”.
Më konkretisht, ai ka thënë se mund ta propozojnë Vjosa Osmanin, nëse LV-ja i garanton 66 votat e mazhorancës për të.
“I nderuar kryeministër Kurti, Meqë po komunikojmë në distancë, Ju lutem përcaktohuni a doni marrëveshje politike me LDK-në, apo i doni 90 vota edhe me PDK-në. Nëse është kjo e dyta dhe nuk mundeni pa ta, atëherë nuk mund t’ju ndihmojmë. Kur të merreni vesh, e trajtojmë. Por, nëse doni marrëveshje politike me LDK-në, atëherë flisni me ne. Presidentin e propozojmë ne me plot përgjegjësi. Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na i garantoni 66 vota për të. Ju faleminderit!”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.
Deputeti i LV-së, Mefail Bajqinovci, ka reaguar i pari me një video ku i kërkonte sërish LDK-së dhe PDK-së “tre emra për president mbipartiak”.
“Tash është momenti. Dërgoni tre emra. Tre emra kërkohet nëse i keni. Ne i tërheqim emrat tanë”, ka thënë ai në videon e publikuar mbrëmë në “Facebook”. Ai ka thënë se “topi është te ju”, duke iu referuar dy partive më të mëdha opozitare.
Bashkëpartiakja e tij, deputetja tjetër e LV-së, Arbëreshë Kryeziu, menjëherë pas Bajqinovcit i ka thën` Abdixhikut se “nuk po e di se a do t’përgjigjet Kryeministri jonë Kurti dhe kur”.
Ajo ka përsëritur vendimin e LV-së për të kërkuar “tre emra” për president, ndërsa ka përmendur propozimin e tyre: Glauk Konjufcën. Në një situatë kur opozita do të propozonte tre emra dhe LV-ja do ta mbante Konjufcën si kandidat, zëvendëskryeministri dhe nënkryetari i partisë në pushtet do t’i merrte 61 votat e nevojshme në rundin e tretë të votimit dhe do të zgjidhej President.
“3 emra që janë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike – Kjo ishte oferta e re e LV-së. Ne jemi të bindur që pas zgjidhjes ideale, pra Murat Jashari, kandidati më i mirë dhe më i zoti dhe me mbështetje të gjerë popullore për president Republike është Glauk Konjufca, të cilin e votuan 318 mijë qytetarë – krahasojeni këtë me komplet votën e LDK-së, për të cilën votuan 126 mijë qytetarë, pra 2.5 herë më pak! Mirëpo meqë kjo po refuzohet sepse Glauku na qenka LV (po çka tjetër?!), ne e ndërmorëm edhe një hap. Me 3 kandidatë në garë që ju do t’i propozonit bashkë me PDK’në si opozitë, do të ishim dukshëm mbi 80 deputetë si prag për kuorum. Kjo ishte ofertë që opozita ta merr bajrakun për gjetjen e 3 kandidatëve konsensual, me merita e vlera kombëtare, kurse Lëvizja duke ju mbështetur që ta realizoni këtë akt. Pra, ju bashkë propozimin e kandidatëve, ne mbështetjen. Kjo është oferta për zgjidhje, kurse çfardo refuzimi apo qëndrimi ndryshe tregon se nuk doni zgjidhje, por zgjedhje”, ka shkruar Kryeziu në “Facebook”.
Ndërsa shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, ka thënë se LV-ja, që i deshi emrat, e ka tashmë një emër, duke iu referuar Vjosa Osmanit dhe e ka shtruar pyetjen se a do ta votojnë atë deputetët e mazhorancës.
“A deshtët emra? Emrin e keni. Kallxoni a i keni 66 vota!”, ka shkruar ajo mbrëmë në një postim në “Facebook”.
Elvis Hoxha, anëtar i LV-së, tha në një video të publikuar sot në “Facebook” se LDK-ja “nuk i ka dhënë” votat për Vjosa Osmanin presidente.
Duke folur nga një kafene diku, ai i përmendi zgjedhjet e reja parlamentare si punë të kryer, ndërsa e quajti opozitën “depozita e bllokimit”.
Hoxha ka akuzuar edhe mediet, të cilat, sipas tij, “nuk duan kurrsesi që të ketë zhbllokim të politikës së Kosovës dhe të ketë qeverisje”.
Nëse deri të martën nuk zgjidhet presidenti i ri, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh. /Express



