Kurti: Siguria nacionale është përmirësuar, Serbia ka humbur forcën destabilizuese

08 qershor 2025 | 18:29

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se siguria nacionale në Kosovë është përmirësuar shumë dhe është e shtrirë në tërë territorin e vendit.

Ai ka thënë se kjo është bërë për shkak të bashkëpunimit profesional dhe ndërveprimit operacional nga organet e inteligjencës, sigurisë dhe drejtësisë.

Kurti ka thënë se siguria është rritur edhe në katër komunat në veri të Kosovës ku situata ka qenë e rëndë për shkak të ndikimit të Serbisë, që tash sipas tij është zvogëluar.

“Gjendja e sigurisë në veri ka qenë e rëndë për shkak të ndikimit dhe rolit të Serbisë por edhe masave të institucioneve të Republikës së Kosovës në të kaluarën të cilat ishin asimetrike me nivelin e kërcënimit. Progresi përgjatë viteve në raport me zvogëlimin e ndikimit të Serbisë, përmirësimi i situatës së sigurisë në katër komunat në veri, garantimi i lëvizjes së lirë, operimit të bizneseve, fuqizimi i sundimit të rendit dhe ligjit atje, kanë ndikuar në një ambient me të sigurt, jo vetëm në katër komunat veriore, por edhe në vendbanimet tjera me shumicë serbe. Veriu i Kosovës nga një regjion me prani jo vetëm të terroristëve dhe kriminelëve serbë, por edhe një nga lokacionet më proruse, tashmë është stabilizuar dukshëm. Stabilizimi i situatës në këtë pjesë, ka ndikuar pozitivisht përveç sigurisë së përgjithshme të Republikës së Kosovës edhe në atë rajonale”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka përmendur disa aspektet kryesore – Reduktimi i kapaciteteve destabilizuese të Serbisë në Kosovë (në veri dhe në pjesë tjera të vendit tonë); – Përmirësimi i situatës së sigurisë; – Largimi i barrikadave dhe pamundësimi i rivendosjes së tyre;- Luftimi i grupeve kriminale dhe terroriste; – Neutralizimi i mekanizmave ilegal të kontrolluar nga Serbia që kanë monitoruar dhe raportuar për aspekte të sigurisë në veri;- Sundimi i rendit dhe ligjit që solli edhe forcimin e sovranitetit.

Kurti ka thënë se Serbia ka humbur forcën destabilizuese dhe se nuk ka mekanizma të fortë kërcënues brenda Kosovës.

“Grupet e fuqishme kriminale serbe në veri janë luftuar suksesshëm, gjersa janë mbyllur rrugë ilegale, janë shkatërruar dhjetëra laboratorë të drogës në veri dhe është rritur monitorimi i vijës kufitare. Kjo ka dhënë rezultate në parandalimin e kontrabandës së mallrave, trafikimit të armëve, imigrantëve dhe dukurive të tjera kriminale”, ka shkruar ai ndër të tjera.

Kurti ka thënë se është parandaluar edhe ndikimi nga shtetet si Rusia, Kina dhe Irani, ku ka theksuar se ndikimi i tyre në Kosovë është më i ulëti në shtetet e rajonit.

“Është parandaluar influenca malinje e shteteve dhe qarqeve jomiqësore si Rusia, Kina dhe Irani. Ndikimi i tyre në Kosovë është më i ulti në rajon dhe më gjerë. Në aspektin e jashtëm, prania e lartë e Rusisë në Serbi si dhe sinkronizimi i aktiviteteve kundër Kosovës, puqja e interesave mes tyre për destabilizim të rajonit, po ndikojnë që kërcënimi nga Rusia të mbetet i lartë”, ka shkruar Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dhjetëra mijëra qytetarë janë mbledhur në qendër të Madridit për të protestuar…