Kurti sinjale serbëve dhe Perëndimit për Marrëveshjen e Ohrit, e thekson që punën e kryen nëse bëhet përsëri Kryeministër

19 shtator 2025 | 20:15

Pa u bërë një javë pasi Ambasada e SHBA’së suspendoi fillimin e dialogut strategjik të planifikuar me Kosovën, për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë që “rritën tensionet dhe jostabilitetin”, Kurti ka bërë një lëvizje të re. Mbrëmë, nëpërmjet një videoadresimi në gjuhën serbe i është drejtuar komunitetit serb, por mesazhet nuk ishin vetëm për ta. Kurti u duk se po i fliste me shumë Perëndimit. Ai dha sinjale se është gati të nis integrimin e shëndetësisë dhe arsimit serb në sistemin e Kosovës bashkë me serbët dhe partnerët, përfshirë emisarin e dialogut. Kurti e evitoi, por ambasadori gjerman në largim Jorn Rohde, rikujtoi se për këto dy sfera Kurti ka bërë marrëveshje në Ohër dhe se ato bienë nën patronazhin e Asociacionit.

I gjetur në një situatë të raporteve tashmë të ftohura, dikush do të thoshte të ngrira me Perëndimin, Kurti mbrëmë ka bërë një ofertë të re nëpërmjet një videoadresimi në gjuhën serbe, diçka që e bën shpesh ai. Më shumë se serbëve aty u ka folur vendeve dhe entiteteve me të cilat ka pasur problemeve në një pjesë të madhe të mandatit të tij si shef qeverie.

Kurti ka bërë me dije se është gati të ulet me serbët, BE’në, emisarin e saj të dialogut, vendet e QUINT e KFOR’in për t’i integruar arsimin dhe shëndetësinë në kuadër të sistemit të Kosovës, pa e përmendur se për këtë Kosova ka bërë marrëveshje me Serbinë dhe BE’në, përfshirë një në Ohër mes tij dhe Vuçiq me ndërmjetësim të Brukselit.

Meqë të gjitha institucionet shëndetësore në zonat me shumicë serbe në Kosovë funksionojnë në kuadër të sistemit të Serbisë, Kurti tha se kjo duhet të ndryshojë dhe se duhet të bëhet integrimi i tyre në një sistem të vetëm.

Ai tha se për këtë do të bashkëpunojë me kryetarët e rinj të komunave me shumicë serbe që do të dalin nga zgjedhjet e 12 tetorit.

Që kjo të ndodhë, Kurti nënvzoi mandatin e ardhshëm të tij si Kryeministër.

“Unë dua të bashkëpunoj me ju. Është e domosdoshme që së bashku të luftojmë për drejtësi dhe mirëqenie. Ashtu si të gjithë qytetarëve të tjerë të Kosovës edhe juve ju takojnë shërbimet e institucioneve publike dhe ju meritoni qasje të barabartë në të mirat e përbashkëta. Unë angazhohem për unitet dhe barazi. Sigurisht, dualizmi i sistemit shëndetësor dhe arsimor nuk është i qëndrueshëm. Është i nevojshëm inkorporimi i tyre dhe unifikimi”, tha Kurti në këtë adresim.

Kurti është gjendur në qendër të kritikave të SHBA’së dhe BE’së për aksionet e qeverisë së tij ndaj strukturave paralele. Pikërisht për këtë, ai, në video adresim iu tha serbëve se me shëndetësinë dhe arsimin nuk do të bëjë sikur deri tani. Këtë tha se do ta bëjë me ta.

“Gjatë mandatit tonë të ardhshëm, bashkë me të gjithë, përfshirë edhe kryetarët e ardhshëm të komunave, do të punojmë për inkorporimin e shëndetësisë dhe arsimit në një sistem të vetëm. Besoj se është e mundur të kemi sistem ligjor e të drejtë dhe që funksionon shumë më mirë. Dhe e dimë sa të domosdoshme janë investimet e mëdha. Brenda një procesi të tillë do t’i bashkojmë idetë, përvojat dhe forcat me partnerët tanë ndërkombëtarë: Bashkimin Europian dhe përfaqësuesin e tij special për dialog, vendet e Quint-it dhe KFOR-in”, tha Kurti.

Meqë Kurti s’e përmendi platformën në të cilën u parapanë të përfshihen këta sektorë në dialogun e zhvilluar në Bruksel tash e sa vite – Asociacionin e komunave me shumicë serbe, këtë e vuri në dukje ambasadori në largim i Gjermanisë, Jorn Rohde, i cili në një demant për Listën Srpska, e cila pretendoi se “integrimi i institucioneve të arsimit dhe shëndetësisë nuk ka qenë kurrë pjesë e negociatave apo ndonjë marrëveshjeje”, Rohde i qartësoi pikat e nënshkruara mbi këto çështje, e për të cilat tha se bien “nën patronazhin e Asociacionit”.

“Marrëveshja e nënshkruar më 19 prill 2013 përfshinte gjashtë pika që lidhen me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa marrëveshja e fundit e Ohrit mbi udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes të nënshkruar në vitin 2013 përcakton qartë integrimin e institucioneve të lartpërmendura në sistemin institucional të Kosovës nën patronazhin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Rohde.

Ambasadori gjerman pati edhe një vërejtje për tendencat për interpretim të dokumenteve që kanë karakter detyrues ndërkombëtar.

“Prandaj, do t’u bëja thirrje të gjithëve të përmbahen nga deklaratat e tilla arbitrare – dhe mund të thuhet me qëllimkëqija – që mund të dëmtojnë proceset demokratike, siç janë zgjedhjet e ardhshme”, tha Rohde.

Lista Srpska, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, reagoi menjëherë pas deklaratës së Kurtit për shëndetësinë e arsimin, duke thënë se atë e cilësojnë si “kërcënim” dhe se këta sektorë “nuk janë pjesë e asnjë negociate apo marrëveshje”.

Për këtë, Rohde tha se “thjesht nuk është e vërtetë”.

Sprska insiston që shëndetësia e arsimi të mbesin ashtu siç janë dhe se “të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare flasin qartë se këto janë sisteme të ndara”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani Shumë e dashura Nëna Qamile e Heroit të…