Kurti: Sot, 11,410 biznese janë aktive në sektorin e ekonomisë digjitale dhe të shërbimeve profesionale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në tryezën e organizuar nga ABSL Kosovo me temën “Kosova: Nga një destinacion pranë bregut në një kufi inovacioni”.
Në fjalën hyrëse, ai tha se sektorët e shërbimeve BPO dhe TIK janë ndër sektorët që po rriten më së shpejti në ekonominë tonë dhe sot, ata punësojnë drejtpërdrejt mbi 47,000 persona.
“Qeveria e Kosovës e ka bërë zhvillimin e këtij sektori një prioritet të qartë për veten e saj, në strategji e në zbatim. Strategjia e Punësimit 2024-2028 vendos sektorin e TIK-ut dhe shërbimeve BPO në qendër të krijimit të vendeve të punës për të rinjtë. Ne po i rishikojmë kurrikulat arsimore në bashkëpunim me industrinë, po krijojmë stimuj fiskalë për investitorët e rinj dhe po punojmë për t’i thjeshtuar procedurat administrative”, tha kryeministri Kurti.
Ai ka thënë se sot, 11,410 biznese janë aktive në sektorin e ekonomisë digjitale dhe të shërbimeve profesionale e mbështetëse, me një qarkullim i cili ka arritur në 2 miliardë euro në vitin që lamë pas.
“Pra 2025, duke shënuar një rritje mesatare vjetore prej 16 për qind. Nga këto, 78 për qind sigurojnë të ardhura nga tregjet ndërkombëtare, kryesisht nga Gjermania, Zvicra dhe Austria. Kjo tregon se Kosova, përtej produkteve, eksporton aftësi dhe njohuri”, ka thënë Kurti.



