Kurti sot i tregon Scholzit për përshtypjet e marrëveshjes Kosovë – Serbi

03 nëntor 2022 | 08:28

Kryeministri Albin Kurti sot do të qëndrojë në kryeqytetin e Gjermanisë, ku do të mbahet Samiti i radhës i Berlinit për Ballkanin Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Qeveria e Kosovës ka refuzuar t’i bëjë publike përshtypjet e saj për propozimin franko-gjerman rreth një marrëveshjeje që synohet të arrihet shpejt në dialogun me Serbinë. Por, Kurti do të ketë mundësi që sot me kancelarin gjerman, Olaf Szholz të diskutojë për propozimet e Kosovës rreth kësaj, të cilat paraprakisht i janë dërguar me shkrim edhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, raporton Gazeta Express.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi nuk dha shumë detaje për propozimin franko-gjerman, por tha se “është një ide që raportet Kosovë-Serbi të zgjidhen në dy faza”, një pjesë e madhe tash dhe një pjesë shumë e vogël të mbeten për më vonë.

“Natyrisht që është parë (propozimi). Është parë nga një grup shumë i vogël i njerëzve. Në këtë fazë, unë nuk mund të flas për përshtypjet, vlerësimet tona apo propozimet tona, por mund të them që propozimet i kemi të shkruara dhe të dërguara te Scholz dhe Macron”, ka thënë Bislimi të martën në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

I pyetur nëse detajet e propozimit mund të bëhen publike pas takimit të sotëm, Bislimi nuk e pohoi e as nuk e mohoi mundësinë që kjo të ndodhë.

“U takon krerëve të shtetit të vendosin, por edhe atyre që kanë propozuar se kur është momenti që përmbajtja e idesë (propozimit franko-gjerman) të bëhet publike”, ka thënë Bislimi.

Ai ka insistuar të mos komentojë se çka do të ishte e pranueshme dhe çka jo për Kosovën nga përmbajtja e propozimit të Gjermanisë dhe Francës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një 17 vjeçar dhe një 19 vjeçar nga Vushtrria janë…