Kurti s’shkoi në samitin në Tiranë, Hoti: Ligjëratat nëpër Irlandë vetëm pretekst, aty ka qenë vendi për zhbllokimin e 300 milionë eurove

29 shkurt 2024 | 15:26

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me mosshkuarjen e kryeministrit Albin Kurti në Tiranë për Samitin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

Hoti ka thënë se “ligjëratat nëpër Irlandën Veriore janë vetëm pretekst për të ikur nga ky takim”.

Sipas Hotit, në samit ka qenë vendi për të insistuar dhe avokuar për zhbllokimin e 300 milionë eurove për projekte për shkak të masave të BE-së ndaj Kosovës.

“Nuk ka asnjë arsyetim pse Kosova nuk është e pranishme në Tiranë në Samitin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Nuk ka agjendë më të rëndësishme për Qeverinë se ky samit, përveç ndonjë emergjence kombëtare. Jam i sigurt se ligjëratat nëpër Irlandën Veriore janë vetëm pretekst për të ikur nga ky takim”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

Hoti ka thënë se Qeveria e Kosovës do të duhej të bënte konsultime të ngushta me qeverinë Rama përpara këtij samiti.

“Samiti në Tiranë është vendi për të prezantuar nevojat dhe projektet, si dhe për të bërë konsultimet e nevojshme me partnerë. Aty është vendi për të insistuar dhe avokuar për zhbllokimin e 300 milionë eurove për projekte për shkak të masave të BE-së ndaj Kosovës. Sipas komisionarit për zgjerim, Oliver Varhelyi, plani i BE-së për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor është konceptuar në Tiranë. Rrjedhimisht, Qeveria e Kosovës do të duhej të bënte konsultime të ngushta me qeverinë Rama përpara këtij samiti”, ka shkruar Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në veri të Kosovës nga 29 shkurti ka filluar shpërndarja…