 
                    Kurti: Ta miratojmë buxhetin para se të shkojmë në zgjedhje të reja
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka prezantuar projektligjin për Buxhetin e vitit 2026 para kabinetit në detyrë.
Ai tha se me këtë buxhet sigurohet qëndrueshmëria e vendit dhe e zhvillimit të tij.
Ndërkaq, ai kërkoi që ky ligj i buxhetit 2026 të shkojë në Kuvend dhe të votohet nga të gjithë deputetët “para se vendi të shkojë në zgjedhje të reja”.
“Megjithëse jemi Qeveri në detyrë, Kuvendi ka paraparë që edhe në situata të tilla ku formimi i institucioneve mund të zgjasë më shumë se që duhet, shteti vazhdon funksionimin, konkretisht paragrafi 5 i nenit 31 të Ligjit, e parasheh që edhe qeveria e cila e ka përfunduar mandatin e plotë, mund të propozojë buxhetin vjetor para kuvendit. Prandaj, sot si qeveri, përveç që po zbatojmë një detyrim ligjor për sa i përket respektimit të afateve për miratimit të ligjit të buxheti, po e kryejmë edhe obligimin tonë si qeveri në detyrë që shteti të mos mbetet pa buxhet. I takon Kuvendit dhe deputetëve të të gjitha subjekteve politike që këtë buxhet ta miratojnë para se të shkohet në zgjedhje të reja në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e shtetit dhe të mos ndeshemi me situata ku shteti nuk ka buxhet të miratuar”, u shpreh Kurti.
 
                        


 
                                         
                                         
                                         
                                         
                                        