
Kurti takohet me ambasadorin e ri italian, shpreh mirënjohjen për mbështetjen e integrimit euroatlantik të Kosovës
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim mirëseardhës ambasadorin e ri e Italisë në Prishtinë, Maurizio Antonini.
Në këtë takim të parë, Kurti e ka uruar ambasadorin për detyrën e re, teksa ka vlerësuar lartë kontributin e vazhdueshëm të Italisë për vendin tonë.
Gjatë bisedës është nënvizuar partneriteti i fortë ndërmjet dy vendeve, veçanërisht roli i rëndësishëm i Italisë në mbështetjen e paqes dhe sigurisë përmes kontributit të saj në misionin e NATO-s, KFOR.
Po ashtu në këtë takim është diskutuar edhe për nevojën dhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral, me fokus në fushën e ekonomisë, sigurisë e mbrojtjes dhe shkëmbimeve kulturore.
Kryeministri në detyrë ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e Italisë në integrimin euroatlantik të Republikës së Kosovës.