Kurti takohet me homologun bullgar në Sofje, bisedojnë për situatën e sigurisë në rajon

22 prill 2024 | 13:31

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është mirëpritur nga kryeministri në detyrë i Bullgarisë, Dimitar Glavchev.

Miqësia dhe partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë, marrëdhëniet e mira ekonomike dhe vullneti i dyanshëm për zgjerimin e tyre ishin temat qendore të bisedës dhe takimit.

Gjatë takimit, kryeministri Kurti dhe kryeministri në detyrë i Bullgarisë, Glavchev, kanë diskutuar edhe për situatën e sigurisë në kontinentin e Evropës dhe atë në rajon, dhe folën për nevojën e bashkëpunimit sa më të thellë ndërmjet shteteve mike e partnere dhe ndërmjet shoqërive demokratike.

Në vizitën e tij të parë në Bullgari, Kurti është shprehur i nderuar me pritjen nga homologu tij dhe falënderues për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë.

“Bullgaria njohu pavarësinë e Kosovës në mars të vitit 2008, ndërkaq sivjet shënojmë 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Deri më tani kemi të nënshkruara tetë marrëveshje dypalëshe dhe disa tjera që presin të finalizohen. Me synim fuqizimin e raporteve ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare, në qershor të vitin të kaluar u themelua Oda Ekonomike Kosovë-Bullgari me seli qendore në Sofje. Këtë vit, planifikohet të organizohet forum i përbashkët i bizneseve të Kosovës dhe Bullgarisë. Bullgaria kishte luajtur një rol të rëndësishëm për ne në vitin 1999 duke hapur hapësirën e saj ajrore për aeroplanët e NATO-s në fushatës kundër Serbisë, që i dha fund gjenocid ndaj shqiptarëve në Kosovë. Ajo vazhdon të japë kontribut të rëndësishëm në sigurinë e vendit tonë me pjesëmarrjen dhe praninë e trupave të saj në Kosovë në kuadër të misionit të KFOR-it”,  ka njoftuar zyra e kryeministrit Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka njoftuar se…