
Kurti takohet me zyrtaren norvegjeze, ja për çfarë biseduan
Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë ishin tema e takimit të sotëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Kristin Melson, drejtoreshë për Evropën Juglindore nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë.
Melsoni e ka uruar kryeministrin për detyrën dhe fitoren e madhe të zgjedhjeve parlamentare, me një shumicë që, siç tha ajo, arrihet rrallë herë.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti, ka thënë se ndryshimet demokratike në këtë fillim vit kanë sjellë përfitime të gjithëmbarshme.
“Qytetarët duan zhvillim, por edhe drejtësi, prandaj këta indikatorë pozitiv të ekonomisë duhet të shoqërohen me indikatorë pozitiv edhe në drejtësi, e cila duhet të jetë efikase”, ka thënë ai.
Në këtë takim është biseduar edhe për zhvillimin e kapaciteteve njerëzore dhe planet e qeverisë për “kthimin e trurit” (brain gain).
Lidhur me këtë, kryeministri e ka njoftuar Melsonin për mekanizmin, që do të themelojë qeveria, “Fondi i Ekselencës”, për të cilin edhe kërkoi mbështetje.