Kurti takoi anëtarët e Bordit të Drejtuesve të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore

22 korrik 2022 | 13:21

Kryeministri Albin Kurti ka mirëpritur në takim anëtarët e Bordit Drejtues të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, të emëruar në mbledhjen e 86-të të Qeverisë së Kosovës.

Në emër të Bordit, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, njëherësh edhe kryesuese e Bordit, e njoftoi kryeministrin Kurti për mbledhjen konstituive të mbajtur dje dhe për vendimet e marra në këtë mbledhje.

Përveç zgjedhjes së kryesueses dhe zëvendëskryesuesit të Bordit, me shumicë votash, në këtë mbledhje u vendos që të largohet përkohësisht nga puna drejtori i deritanishëm i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Fatmir Plakiqi. Në vend të tij, ushtruesi i detyrës së drejtorit, u emërua Bujar Kaçuri.

Duke pasur për qëllim të përbashkët ndërtimin e sistemit të sigurimeve shëndetësore, anëtarët e Bordit Drejtues u shprehën se këtij sistemi i paraprijnë hartimi dhe finalizimi i protokolleve klinike, standardizimi i licencimit të profesionistëve shëndetësorë dhe mbi të gjitha finalizimi i sistemit informativ shëndetësor dhe ndërlidhja e tij me të gjitha sistemet tjera relevante.

Ata thanë se situata paradoksale prej vitit 2015 e sigurimeve shëndetësore dhe Fondit për Sigurime Shëndetësore, ku sigurimet nuk ekzistojnë sepse nuk ka filluar asnjëherë mbledhja e primit të sigurimeve e ndërkaq që Fondi kryen funksionin e trajtimit të rasteve jashtë institucioneve publike shëndetësore, do të korrigjohet së shpejti teksa punohet për sistemin e sigurimeve shëndetësore.

Kryeministri Kurti uroi anëtarët e Bordit për detyrën e tyre të re dhe u dëshiroi suksese në përmbushjen e synimeve të tyre, që njashtu janë edhe të Qeverisë.

Ai tha se Bordi ka mbështetjen e plotë të qeverisë në realizimin e përgjegjësive dhe qëllimeve të tyre, teksa vendosi theksin te rëndësia e transparencës së këtij institucioni.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se dialogu ndërmjet…