Kurti takon drejtoreshën e NATO-s për operacione, theksohet bashkëpunimi dhe rruga e Kosovës drejt aleancës veriatlantike

08 prill 2026 | 16:27

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në një takim drejtoren e NATO-s për Operacione, Charlotte Hallengren.

Kurti ka shprehur falënderime për angazhimin e NATO-së për paqen, sigurinë dhe stabilitetin, si dhe për rolin e rëndësishëm të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) për Ministrinë e Mbrojtjes si organ kyç ndërlidhës dhe këshillues i aleancës veri-atlantike në Republikën e Kosovës.

Në kuadër të thellimit të bashkëpunimit, kryeministri ka folur për mundësitë që pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) të ndjekin trajnime ushtarake edukuese dhe profesionale në institucionet e NATO-s. Po ashtu, ai ka folur edhe për rritjen e kapaciteteve të FSK-së në përputhje me standardet e aleancës veriatlantike.

Kurti ka thënë se FSK-ja ka demonstruar performancë të lartë në misionet ndërkombëtare, përfshirë bashkëzbarkimet në Kuvajt, Belize dhe Ishujt Falkland, si dhe misionin në Turqi. Ndërsa, ai ka thënë se aktualisht është duke u përgatitur për misionin në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.

Kurti ka përmendur edhe trajnimet për personelin ukrainas për deminim dhe misione të kërkim-shpëtimit.

Ai ka thënë se Kosova është e përcaktuar, angazhuar dhe e përkushtuar në rrugën e saj për integrim në NATO.

Në anën tjetër, drejtoresha e NATO-s për Operacione, Hallengren, ka falënderuar kryeministrin Kurti për bashkëpunimin dhe bashkërendimin e ngushtë. Ajo ka vlerësuar lartë vendimin për angazhimin e FSK-së në misionin stabilizues në Gaza.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Portieri veteran i Bayernit, Manuel Neuer, kishte paraqitje prej “pesë…