Kurti takon drejtuesit e organizatës zvicerane Helvetas, e cila kontribuon në zhvillimin ekonomik të Kosovës

11 nëntor 2025 | 11:44

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në takim drejtuesit e Helvetas Swiss Intercooperation: drejtorin ekzekutiv, Melchior Lengsfeld; drejtorin Rajonal për Evropën Lindore, Matthias Herr; drejtorin e Helvetas në Kosovë, Ertan Munoglu; dhe zyrtaren e lartë të Helvetas në Kosovë, Mimoza Shehu Musa.

Në takim u diskutua për bashkëpunimin e gjatë e të frytshëm ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe organizatës Helvetas, e cila prej më shumë se dy dekadash kontribuon në zhvillimin ekonomik, përfshirjen sociale dhe qeverisjen e mirë në vendin tonë.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për kontributin e Helvetas në proceset zhvillimore të Kosovës që nga viti 2001, veçanërisht përmes projekteve si, DEMOS, që mbështetë 38 komuna për qeverisje lokale demokratike; GPEK, që ndihmon tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër; dhe RECONOMY, që fuqizon gratë dhe të rinjtë për mundësi të reja punësimi.

Ai theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha me prioritet për Qeverinë si, zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm, përfshirja e diasporës dhe përmirësimi i shërbimeve publike.

Lengsfeld, drejtori ekzekutiv, vlerësoi progresin e Kosovës në zhvillim institucional dhe demokratik, si dhe gatishmërinë e Qeverisë për partneritet strategjik.

Ai theksoi se Helvetas mbetet e përkushtuar për të vazhduar mbështetjen në fushat e qeverisjes lokale, zhvillimit ekonomik dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike.

Në takim, palët u dakorduan për të vazhduar bashkëpunimin në kuadër të projekteve aktuale dhe për të identifikuar mundësi të reja, që kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe forcimin e institucioneve demokratike në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Nga Rezoluta në Veprim: 25 vjet që Gratë Transformojnë Paqen…