
Kurti takon kongresistin amerikan, thekson aspiratën e palëkundur të Kosovës drejt BE-së dhe NATO-s
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka takuar në Uashington D.C. kongresistin amerikan nga radhët e Partisë Demokratike, Ritchie Torres.
Kurti e ka falënderuar kongresistin Torres për qëndrimet e tij të hapura dhe të zëshme në mbështetje të Kosovës.
Kreu i qeverisë e ka informuar Torresin për progresin ekonomik dhe demokratik që vendi ka shënuar vitet e fundit, si dhe për zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe rajon.
Po ashtu, në takim Kurti ka theksuar aspiratën e palëkundur të Kosovës për integrim në BE.
“Në takim, kryeministri theksoi aspiratën e palëkundur të Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si orientim dhe objektiva strategjike të shtetit tonë. Kryeministri gjithashtu nënvizoi planet e mëdha investive në vend, përfshirë projektin e hekurudhës Prishtinë-Durrës, zhvillimin e hovshëm të sektorit të teknologjisë dhe mundësitë që kompanitë amerikane të bashkëpunojnë e të investojnë në Kosovë”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.