Kurti: Të bashkohemi për një shoqëri pa varësi

10 shtator 2025 | 13:40

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në konferencën nacionale “Një komunitet pa varësi”, të organizuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit në partneritet me koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, Trust Circle Foundation dhe organizatën Labyrinth.

Konferenca kishte për qëllim që të nxisë dialog gjithëpërfshirës ndërmjet institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile, profesionistëve dhe komunitetit, për të adresuar dhe parandaluar përdorimin e substancave narkotike nga fëmijët dhe të rinjtë, duke promovuar qasjen ndërsektoriale, masat parandaluese, dhe mbështetjen për rehabilitim dhe ri-integrim të fëmijëve dhe të rinjve përdorues të substancave narkotike.

Në fjalën e tij hapëse, Kurti ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës e ka të qartë se lufta kundër varësisë kërkon qasje gjithëpërfshirëse dhe të bashkërenduar, e cila fillon nga parandalimi, vijon me edukimin edhe ndërgjegjësimin, ofron mbështetje psiko-sociale dhe shëndetësore, me qëllim të zvogëlimit të dëmit për ata që marrin drogë dhe garanton rehabilitim e ri-integrim dinjitoz në shoqëri.

“Ne po fuqizojmë Policinë në luftën kundër shpërndarjes së substancave narkotike, ndërkohë që po investojmë në qendra trajtimi dhe programe rehabilitimi për të rinjtë tanë. Një shembull i këtij bashkëpunimi është mbështetja prej afro 39 mijë eurosh, që Ministria e Drejtësisë ka ndarë për organizatën ‘Labirinti’ për vitin 2025, si dhe nga Ministria e Shëndetësisë është rritur përkrahja nga 16 mijë euro në vitin 2023, në 44 mijë euro për vitin 2024, ndërkaq për 30 muajt e ardhshëm janë ndarë afër 60 mijë euro në fushën e edukimit dhe ngritjes së vetëdijes për testim për HIV dhe Hepatit C tek përdoruesit injektues të drogave. Një program i udhëhequr nga peer edukatorët, siç quhet, ku pjesëtarëve të komunitetit iu ofrohet një rol udhëheqës dhe një rol më i fortë mbikëqyrës për komunitetin, po ashtu është pjesë e planit tonë të veprimit që po e zhvillojmë aktualisht. Paralelisht, po investohet për programe parandaluese, edukative dhe shërbime të trajtimit dhe rehabilitimit për përdoruesit e drogave, në mënyrë që të zvogëlohet dëmi shëndetësor dhe social i varësisë. Përmes këtij angazhimi, Kosova synon të ndërtojë një shoqëri më të sigurt dhe më të shëndetshme”,  ka thënë Kurti.

Gjithashtu, Kurti ka theksuar përkushtimin në zbatimin e Strategjisë shtetërore kundër drogave 2024-2028, si një nga prioritetet për mbrojtjen e shëndetit publik dhe sigurisë së qytetarëve, duke shtuar se përmes kësaj strategjie dhe Plani të Veprimit, janë përcaktuar masa të qarta, të cilat e kombinojnë luftimin e zinxhirëve të shpërndarjes së drogave me forcimin e mekanizmave të edukimit, në veçanti tek moshat e reja shkollore, por edhe parandalimin e rehabilitimin duke i pasur gjithashtu në fokus.

Më tutje, Kurti ka bërë thirrje për një front të bashkuar dhe të palëkundur kundër varësisë, duke theksuar se vetëm një komunitet i vetëdijësuar, i angazhuar dhe aktiv, mund të krijojë një të ardhme të lirë nga varësia.

“E dimë që sfida është shumë e madhe, por ne nuk mund të pranojmë që varësia të bëhet realiteti i hidhur i rrugëve tona, i shkollave tona, apo i familjeve tona. Kjo është një betejë që e fitojmë vetëm së bashku: institucionet, policia, komunat, shoqëria civile, mediat, shkollat, prindërit dhe vetë të rinjtë”, ka thënë Kurti.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuar ushtrues i detyrës së Ministrit të Drejtësisë, z. Blerim Sallahu,

I nderuari drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Kryeministri, z.Habit Hajredini,

I nderuari drejtor i Klinikës Psikiatrike, Qendra Klinike Universitare e Kosovës, Dr. Faton Kutllofci,

E nderuara presidente e Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, znj. Remzije Krasniqi,

I nderuari drejtor në Qendrën ‘Labirint’, z. Safet Blakaj,

Të nderuar përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe të organizatave ndërkombëtare në Kosovë,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

Jemi mbledhur sot për një betejë të përbashkët, një betejë për jetën, për dinjitetin dhe për të ardhmen e fëmijët. “Një komunitet pa varësi” përtej një slogani, është mision kombëtar që na thërret të gjithëve, pa përjashtim.

Jemi këtu bashkë, sepse së bashku po angazhohemi për një shoqëri të lirë, ku çdo fëmijë dhe çdo i ri do të ketë mundësinë të jetojë me dinjitet dhe me shpresë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Qeveria e Republikës së Kosovës e ka të qartë se lufta kundër varësisë kërkon qasje gjithëpërfshirëse dhe të bashkërenduar, e cila fillon nga parandalimi, vijon me edukimin edhe ndërgjegjësimin, ofron mbështetje psiko-sociale dhe shëndetësore me qëllim të zvogëlimit të dëmit për ata që marrin drogë dhe garanton rehabilitim e ri-integrim dinjitoz në shoqëri.

Andaj, jemi të përkushtuar në zbatimin e Strategjisë Shtetërore kundër Drogave 2024–2028, si një nga prioritetet për mbrojtjen e shëndetit publik dhe të sigurisë së qytetarëve. Përmes kësaj strategjie dhe Planit të Veprimit, kemi përcaktuar masa të qarta, të cilat e kombinojnë luftimin e zinxhirëve të shpërndarjes së drogave me forcimin e mekanizmave të edukimit, në veçanti te moshat e reja shkollore, por edhe parandalimin e rehabilitimin duke i pasur gjithashtu në fokus.

Ne po fuqizojmë Policinë në luftën kundër shpërndarjes së substancave narkotike, ndërkohë që po investojmë në qendra trajtimi dhe programe rehabilitimi për të rinjtë tanë. Një shembull i këtij bashkëpunimi është mbështetja prej afro 39 mijë eurosh, që Ministria e Drejtësisë ka ndarë për organizatën ‘Labirinti’ për vitin 2025, si dhe nga Ministria e Shëndetësisë është rritur përkrahja nga 16 mijë euro në vitin 2023, në 44 mijë euro për vitin 2024, ndërkaq për 30 muajt e ardhshëm janë ndarë afër 60 mijë euro në fushën e edukimit dhe ngritjes së vetëdijes për testim për HIV dhe Hepatit C tek përdoruesit injektues të drogave. Një program i udhëhequr nga peer edukatorët, siç quhet, ku pjesëtarëve të komunitetit iu ofrohet një rol udhëheqës dhe një rol më i fortë mbikëqyrës për komunitetin, po ashtu është pjesë e planit tonë të veprimit që po e zhvillojmë aktualisht.

Paralelisht, po investohet për programe parandaluese, edukative dhe shërbime të trajtimit dhe rehabilitimit për përdoruesit e drogave, në mënyrë që të zvogëlohet dëmi shëndetësor dhe social i varësisë. Përmes këtij angazhimi, Kosova synon të ndërtojë një shoqëri më të sigurt dhe më të shëndetshme.

Të nderuar të pranishëm,

E dimë që sfida është shumë e madhe, por ne nuk mund të pranojmë që varësia të bëhet realiteti i hidhur i rrugëve tona, i shkollave tona, apo i familjeve tona.

Kjo është një betejë që e fitojmë vetëm së bashku: institucionet, policia, komunat, shoqëria civile, mediat, shkollat, prindërit dhe vetë të rinjtë.

Andaj, sot bëjmë thirrje për një front të bashkuar dhe të palëkundur kundër varësisë. Vetëm një komunitet i vetëdijësuar, i angazhuar dhe aktiv, mund të krijojë një të ardhme të lirë nga varësia.

Unë ju falënderoj për përkushtimin dhe kontributin tuaj, veçanërisht Zyrën për Qeverisje të Mirë në Kryeministri, Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë, organizatën ‘Labirinti’ dhe të gjithë partnerët tanë.

Uroj që bashkëpunimi i mirë mes institucioneve publike, Koalicionit të Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe organizatave të shoqërisë civile, të vazhdojë të jetë i frytshëm, në dobi të fëmijëve të Kosovës pa dallim.

Jemi bashkë në këtë rrugëtim me forcë, vendosmëri dhe me shpresë të përbashkët.

Le të llogarisim vazhdimisht në njëri-tjetrin.

Ju faleminderit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputeti i AAK-së, Besin Tahiri, ka njoftuar se sot ka…